Drejtuesi Politik i PS për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me banorët e Katundit të Ri në Elbasan. Në fjalën e tij, Balla tha se Katundi i Ri ka pritur mjaftueshëm për vëmendjen e qeverisë dhe theksoi se Elbasani ka peshën e një rezultati vendimtar në 25 qershor.
“Sot do marrim një vendim shumë të rëndësishëm. Sot do fillojmë punën për ta shndërruar Katundin e ri në qytetin e ri. Duhet që ta transformojmë tërësisht këtë zonë, që vetëm falë jush është bërë një pjesë e pandashme e qytetit të Elbasanit. Nuk është pjesë e njësisë administrative, duhet të jetë pjesë e qytetit të Elbasanit me të gjitha kriteret dhe standardet që ka një qytet. Është e pafalshme për ne në vitin 2021 ta kemi lënë këtë zonë larg vëmendjes. Mjaft ka pritur Katundi i ri, mjaft ka pritur ky popull. E vërteta kësaj radhe është që Elbasani ka peshën e një rezultati vendimtar për drejtimin që do të marrë Shqipëria, për atë që do duhet të jetë Shqipëria jo në 4 vitet e ardhshme, por në 10 vitet e ardhshme.
Përballë kemi një grup njerëzish Iliri, Monika, Saliu, Luli të cilët i kemi provuar. Tani le të më thotë ndonjëri prej jush: Këta janë ndryshimi që po vjen apo ai ndryshimi që mos ardhtë kurrë? Këta nuk e meritojnë, janë bërë bashkë jo se i duan të mirën Katundit të ri, jo se do vijnë të na bëjnë kanalizimet e ujërave të zeza, jo se do na rregullojnë ndriçimin publik, jo se do na rregullojnë ujin e pijshëm, jo se do na mbarojnë legalizimet, jo se do na bëjnë punët publike që kemi nevojë, por këta s’kanë asnjë lidhje me ne, këta kanë hallin vet. Saliu dhe Ilir kanë hallin e drejtësisë. Tani për kë do votojmë ne, do votojmë për Saliun dhe Ilirin, apo për Katundin e Ri?”, tha Balla.


