Mbrojtësi brazilian i Paris SG, Thiago Silva, i ka ruajtur kontaktet me ish-trajnerin e tij te Milani, Massimiliano Allegri, por sot do të bëjë tifo kundër tij.
Milan pret Juventusin në San Siro dhe braziliani thotë se është një takim i vështirë për të dyja, pavarësisht se bardhezinjtë janë skuadër më e mirë.
“Milan-Juventus gjithmonë ka qenë ndeshje e rëndësishme. Sa herë që jam përballur me bardhezinjtë kanë qenë ndeshje të vështira. Te Juve është një trajner që e njoh shumë mirë, Alegri, por bëj tifo për Milanin. Do të isha vërtet i lumtur nëse fiton”, thotë Silva për Sky Sport.
Ai shton se mban kontakte me Allegrin, ndonëse janë rralluar disi. “Flas shpesh me Max. Sivjet disi më pak, dëgjohemi shpesh kur kemi kohë. Por sidoqoftë, sot jam me Milanin. Është skuadër e madhe dhe duhet të kthehet sa më shpesh në Champions League, edhe duke fituar ndeshje si kjo e sotmja”.