Një 38-vjeçar, i shpallur në kërkim, me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit e shitjes së narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, është arrestuar sot nga policia e Pogradecit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Tushemishti”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, u bë e mundur prangosja edhe e shtetasit Andrea Pilinçi, banues në Tushemisht.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.04.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Plagosja e lehtë me dashje” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 26.04.2020, ku ky shtetas theu masën e sigurisë dhe u konfliktua me një shtetas tjetër. Në banesën e këtij shtetasi u gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion dhe një sasi prej 47 gr. lëndë e dyshuar narkotike kokainë, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në qytetin e Sarandës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec.


