Në rubrikën tonë të përditshme “Summer në Alpe” kemi zgjedhur t’iu sjellim pamje nga gadishulli i Karaburunit.
Gadishulli i Karaburunit është kthyer një nga destinacionet më të kërkuara të bregdetit shqiptar, për faktin se është thuajse tërësisht i paprekur.
Gadishulli është i vetmi park detar në Shqipëri, dhe plazhet që mund të vizitoni këtu janë të panumërta. Gadishulli shtrihet përballë gjirit të Vlorës, si një gisht që tregon peisazhin mbresëlënës të rrethuar nga uji. Gadishulli konsiderohet rezervat natyror dhe njihet për gjiret e vogla detare me bukuri e natyrë të egë
Relievi i gadishullit është i thyer, me gjire të shumta e plazhe të virgjëra, por ajo çfarë e bën edhe më mbresëlënës është ballkoni i Karaburunit që shtrihet mbi kreshtat e tij. Masivet shkëmbore bien mbi shpella ose mbi çarjet e formacioneve të gurta të cilat zbresin butë mbi plazhet e Dafinës ose në bregun e Bitrit.
Në gadishull mund të shkohet në dy mënyra. Rruga detare është ajo më e shkurtra, por destinacioni arrihet edhe nga toka. Udhëtimi tokësor fillon nga Orikumi dhe përshkon mespërmes bazën e Pashalimanit. Por sigurisht kjo është mënyra më pak e preferuar, edhe pasi mund të ndodhë që baza ushtarake të jetë e bllokuar. Nga gjiri i Vlorës duhen vetëm pak minuta me skaf ose anije për të mbërritur në gadishullin e mistereve dhe natyrës së egër.
/AlpeNews.al