Thellohet përçarja në Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë. Një ditë pas largimit të Shpend Ahmetit, kryebashkiakut të Prishtinës, por edhe një prej figurave kryesore të saj, Vetëvendosja kritikon vendimin e tij përmes një letre publike.
Ndër të tjera thuhet se Shpend Ahmeti është bërë pjesë e grupimit të atyre personave që punojnë kundër interesave të Lëvizjes Vetëvendosje brenda radhëve të saj, madje edhe në sfidën e fundit të balotazhit për zgjedhjet lokale 2017.
Megjithatë, në letër shprehet vlerësim për punën e tij në krye të komunës së Prishtinës që prej vitit 2013. Mediat kosovare shkruajnë se shkak i vendimit të tij mbrëmjen e të mërkurës u bë vota kundër raportit financiar të administratës lokale e shumicës së anëtarëve të këshillit komunal të Prishtinës, rrjedhojë e përçarjeve të brendshme të Vetëvendosjes.
Me largimin e Shpend Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje qeveris vetëm komunën e Prizrenit me Muhater Haskukën, pas largimit të mëhershëm edhe të kryebashkiakut të Kamenicës. Që prej dorëheqjes së ish-kryetarit Visar Ymeri në muajin Dhjetor, nga kjo parti janë larguar 9 figura drejtuese. Përçarja lindi pas publikimit të bisedave private mes deputetëve të këtij subjekti politik, ku ka pasur edhe shprehje fyese të drejtuara ndaj kryetarit Albin Kurti.


