Më shumë se 1000 persona kanë ndërruar jetë nga përmbytjet në Pakistan ndërsa autoritetet po luftojnë për të ofruar ndihmë për të mbijetuarit. Miliona pakistanezë të prekur nga përmbytjet më të këqija të dekadës së fundit kanë nevojë urgjente për ndihmë, pasi autoritetet thonë se janë “të mbingarkuar” nga niveli i lartë i katastrofës. Sezoni i paprecedentë i musoneve ka prekur të katër provincat e vendit. Gati një milion shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, rrugë të shumta janë bërë të pakalueshme dhe ndërprerjet e energjisë elektrike janë të shpeshta, duke prekur të paktën 33 milionë njerëz. Rasheedan Sodhar-it iu desh të ecte më shumë se 20 km (12 milje) për t’u larguar nga fshati i saj në provincën jugore Sindh, i cili u përpi nga uji.
“Ne jemi një familje prej 20 anëtarësh dhe na thanë që të largoheshim menjëherë nga fshati. Nuk na ka mbetur asgjë. Jemi gjallë, por nuk mund të jetojmë më”, tha mësuesja 25-vjeçare për Al Jazeera, duke shtuar se nuk mundi të shpëtonte 30 bagëtitë e saj, ndërsa shtëpia u shkatërrua nga përmbytja. Sodhar, tha se e gjithë familja e saj, me gratë shtatzëna dhe foshnjat, nuk kanë strehë dhe po jetojnë jashtë, të ekspozuar në temperatura të larta, në qytetin e afërt Mehar. “Ne mezi sigurojmë një vakt në ditë. Fëmijët tanë qajnë gjithë ditën. Çfarë mund t’u thuash atyre për t’i pushuar së qari teksa e dinë së nuk kanë një çati mbi krye?!”, tha ajo. Familjet e evakuuar marrin ushqim dhe strehohen në anë të rrugës pasi ikin nga shtëpitë e tyre të goditura nga përmbytjet, në periferi të Peshawarit.
Rreth 180 mijë njerëz janë evakuuar nga Charsadda dhe 150 mijë nga rrethi Nowshera në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhëa, tha Kamran Bangash, një zëdhënës i qeverisë provinciale. Shumë prej tyre janë detyruar të strehohen në anë të rrugëve. Khaista Rehman, 55 vjeç, u strehua me gruan dhe tre fëmijët e tij në anë të autostradës Islamabad-Peshawar pasi shtëpia e tij në Charsadda u përmbyt tërësisht gjatë natës. “Falë Zotit, në këtë rrugë jemi më të sigurt dhe larg zonave të përmbytura” i tha ai agjencisë së lajmeve Associated Press. “Të korrat tona janë zhdukur dhe shtëpia jonë është shkatërruar, por unë i jam mirënjohës Allahut që jemi gjallë dhe do të rifilloj jetën me djemtë e mi”.
Numri i viktimave të shkaktuara nga përmbytjet ka arritur në 1061 persona që nga mesi i qershorit, thanë zyrtarët pakistanez të dielën, ndërsa kryeministri, Shehbaz Sharif njoftoi se do të vihet në dispozicion një fond prej 45 milionë dollarësh për provincën Balochistan.
“Pashë nivelin e përmbytjeve kudo që shkova ditët e fundit dhe madje edhe sot”, tha Sharif të hënën në Charsadda, në një nga qytetet e shkatërruara. Ai tha se avionët që transportonin ndihma nga disa vende kanë arritur në Pakistan dhe theksoi se janë në pritje të ndihmave të tjera. Sharif tha se qeveria do të sigurojë strehim për të gjithë ata që humbën shtëpitë e tyre. Kjo është shumë larg nga një muson normal, është distopi klimatike për vendin tonë.
Qeveria ka shpallur emergjencë kombëtare dhe ka apeluar për ndihmë ndërkombëtare. Të dielën, mbërritën ndihmat e para nga Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me çadra, ushqime dhe nevoja të tjera të përditshme. Gjysmëhëna e Kuqe e Katarit gjithashtu ka premtuar ndihmë urgjente. Kamionët që transportonin tenda, ushqime dhe ujë të pijshëm, nga Pakistani po dërgoheshin për dhjetëra mijëra të prekur nga përmbytjet në pjesë të ndryshme të vendit nga Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive. Kombet e Bashkuara do të bëjnë apel ndërkombëtar për viktimat e përmbytjeve pakistaneze të martën në Islamabad. Vërshimet e shpejta nga shirat e dendur kanë përmbytur fshatra dhe të korra, ndërsa ushtarët dhe punonjësit e shpëtimit evakuuan banorët e bllokuar në kampet e ndihmave dhe u siguruan ushqim mijëra pakistanezëve të zhvendosur. “Ajo që ne shohim tani është një oqean uji që përpin qytete të tëra”, tha ministri i klimës Sherry Rehman për agjencinë e lajmeve AFP.


