Krenaria e Flotës Tregtare Shqiptare, transoqeaniku “Arbëria”, ka përfunduar në fonderinë indiane të Alangut në vitin e mbrapshtë 1997.
Gjatë kërkimeve në arkivat e IMO-s (Organizata Ndërkombëtare e Detarisë), zbulova vendin dhe datën e copëtimit të anijes më të madhe të transportit të mallrave “Arbëria”.
Në vitin 1992, pas privatizimit të anijeve të flotës, transoqeaniku “Arbëria”, me tonazh të përgjithshëm 16.350 tonë, mori emrin “Aulona”.
Pronarët e saj, që e blenë fare lirë, nuk ishin në gjendje ta menaxhonin. Prandaj ata vendosën se kishin interes ta shisnin më mirë për skrap, pasi fitohej deri 5-fishi i çmimit të blerjes.
Sipas IOM-it, që e ka të shënuar me nr. 7203728, “Arbëria” iu shit për skrap kompanisë “Apollo Vikas Steel Pvt. Ltd.”, në Alang të Indisë.
Copëtimi i anijes filloi më 8 qershor 1997, teksa ajo kishte mbushur moshën 25 vjeç, ndërkohë që mosha mesatare e flotës aktuale shqiptare është 35-38 vjeç. “Arbëria” ka qenë e mirëmbajtur.
Po, sipas IOM-it, “Arbëria” fillimisht është quajtur “ARAPBRIDE” dhe është ndërtuar në kantierin AG Weser Werk Seebeck, Bremerhaven, në ish-Gjermaninë Perëndimore, në vitin 1972.
Gjatësia e përgjithshme e anijes ishte 150.15 m, gjerësia 21.06 m, thellësia e zhytjes 9.27 m dhe me tonazh gjithsej 16 350.
Diciturat:
Foto 1: Anija “Arapbride”, para shitjes Shqipërisë si “Arbëria”, në lumin Tamiz (Thames) më 5 prill 1978, duke mbërritur në portin e Londrës.
Foto 2: Anija “Arbëria”, më 29 prill 1987, Shanghai, Kinë (foto: simonwp)
Foto 3: Anija “Arbëria”, më 9 tetor 1989, Rendsburg, Gjermani (foto: Michael Neidig)
Foto 4: Anija “Arbëria”, më 11 shkurt 1990 në Vismar (Wismar), Gjermani (foto: Frafo)
Foto 5: Anija “Arbëria”, qershor 1997, drejt Indisë për hekurishte.
Foto 5: Kantieri i skrapit Alanga në Indi, ku u copëtua anija “Aulona” / “Arbëria”, shitur kompanisë “Apollo Vikas Steel Pvt. Ltd.”, nga një agjenci detare në Durrës.