Porti i Vlorës ofron tashmë kushte, standarde shumë të mira dhe moderne për të gjithë pasagjerët të cilët zgjedhin të udhëtojnë përmes tij. Vendosja në funksion e Terminalit të ri ka bërë të mundur një ndryshim rrënjësor të ofrimit të shërbimeve për të gjithë udhëtarët, si dhe ka reflektuar një rritje të ndjeshme të numrit të këtyre udhëtarëve. Shtimi i numrit të sporteleve të policisë kufitare, vendosja e skanerëve për kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve si dhe ndarja e funksioneve për hyrje dhe dalje të veçuara shkurton ndjeshëm kohën e pritjes së udhëtarëve. Godina e terminalit është ndërtuar me parametra bashkëkohorë, me sistem qendror kondicionimi si dhe implementimin e paneleve diellore për kursimin e energjisë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi ambientet e reja të Terminalit ku u njoh edhe me investimin e bërë, për të cilin u shpreh se është një investim të cilin Vlora e meritonte si pika më e rëndësishme e turizmit në jug të vendit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, vlerësoi gjithashtu faktin se ndërtimi i Terminalit të ri u bë i mundur me kapacitete financiare të vetë shoqërisë portuale, duke treguar një mirë menaxhim të fondeve shtetërore, dhe që mbulon nevojat e udhëtarëve dhe mjeteve lundruse, numri i të cilëve ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. “Vlen për tu theksuar se ky Port edhe me terminalin e ri, pothuajse ka dyfishuar kapacitetet përpunuese të udhëtarëve. Sot ne mund të përpunojmë nga Porti i Vlorës mbi 2500 pasagjerë në ditë. Ky investim vjen në kuadër të numrit të shtuar si të pasagjerëve ashtu edhe të mjeteve lundruese që qyteti i Vlorës ka pasur nga vitit 2017 dhe deri më sot. Vetëm gjatë vitit 2017-2018 kemi një rritje me 20% të pasagjerëve ose turistëve të huaj që aksesojnë Portin e Vlorës”, u shpreh Balluku duke shtuar se ka pasur një rritje të ndjeshme edhe të mjeteve lundruese që ankorohen në këtë port.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur gjithashtu se ka nisur puna për të siguruar afrimin e kompanive të tjera lundruese, të cilat do të aksesojnë Portin e Vlorës pasi shërbimi i cili ofrohet aktualisht nuk është ende në nivelin që qytetarët meritojnë. “Unë i kam lënë porosi drejtorit, të cilin e falënderoj për punën e shkëlqyer që ka bërë deri më sot, që së bashku me stafet e ekspertëve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duhet të kërkojmë edhe kompani të tjera që ofrojnë shërbimin e lundrimit për pasagjerë”, nënvizoi Balluku duke njoftuar se së shpejti do të nisin edhe procedurat për këtë qëllim. Ministrja Belinda Balluku shprehu gjithashtu angazhimin edhe për t’i dhënë zgjidhje edhe disa prej problematikave të mbartura në Portin e Vlorës, siç është përfundimi i punimeve për rehabilitimin e tij, një investim ende i papërfunduar plotësisht, si dhe ndërtimin e një dallgëthyesi i cili do të lehtësojë ankorimin e mjeteve gjatë sezonit të dimrit.
Terminali i ri në portin e Vlorës u realizua me një investim prej 215 milion lekësh dhe vënia e tij në funksionim ka rritur ndjeshëm kapacitetin e përpunimit, duke arritur ne rreth 2500 pasagjerë në ditë. Me Terminalin e ri rriten dhe elementët e sigurisë gjatë kontrollit të Policisë Kufitare dhe të Doganës.