Si zakonisht, në futbollin shqiptar planifikimi dhe durimi janë gjëra që pakkush i njeh dhe premtimet e dashuria harrohen brenda pak javësh.
Sot ka ardhur pushimi i parë nga puna, sepse Kamza ka larguar Bledar Devollin nga stoli, pas humbjes në Durrës. Një vendim i pabesueshëm, që në javën e tretë të kampionatit, i marrë pak orë pas ndeshjes ndaj Teutës.
Kamza e nisi mirë, me një fitore të bujshme ndaj Tiranës në transfertë, por më pas u mund nga Partizani në shtëpi dhe në Durrës ishte humbja e dytë rresht.
Në fakt, në verë Kamza bisedoi dhe thuajse mbylli gjithçka me italianin Pietro Vierkovud, por me pas nuk u bë asgjë dhe pas disa javësh pezull, u zgjodh Devolli.
Rikthimi në Kamzë dukej se kishte bërë që të harrohej largimi i çuditshëm nga puna dy sezone më parë, por presidenti Naim Qarri duket se ka mbetur i zhgënjyer nga rezultatet e skuadrës së tij, edhe pse realisht duket absurde që një trajner të largohet kaq shpejt.
Në këtë mënyrë, ka filluar “ruleta ruse” me trajnerët dhe mbetet për t’u parë kush e ka radhën. Ndërkaq, stoli i Kamzës mbetet bosh, ndërsa ende nuk ka ndonjë emër për të ardhmen, por e hëna pritet të sjellë të reja.