Media gjermanishtfolëse vazhdon të fokusohet tek zhvillimet në Kosovë megjithë heqjen e barrikadave: Hapa të parë drejt uljes së tensioneve, por skepticizmi mbetet dhe konflikti nuk zgjidhet.
Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” nën titullin “Në grindjen për barrikadat raundi i parë shkon për Beogradin, por Serbia nuk duhet të gëzohet shpejt”, shkruan se Perëndimi e detyroi Kosovën t’i përgjigjet pakicës serbe. Por aq më shumë rritet presioni ndaj Beogradit të njohë Kosovën. “Heqja e barrikadave shenjon një ditë të mirë për popullin serb, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Pala kundërshtare u detyrua të pranojë kërkesat. Por ky është një lexim dritëshkurtër, nëse e shikon konfliktin me pak distancë.
Vërtet që ndërmjetësuesit perëndimorë e vendosën nën presion të madh palën kosovare. Këtë e tregon edhe një deklaratë e përbashkët e SHBA dhe BE që përmban pika të tilla:
-Prishtina garanton që nuk do të ketë lista sekrete të arrestimeve për serbët e Kosovës.[…]
-Misioni i BE, Eulex kujdeset që ndjekja penale e pakicave (lexo-e serbëve) të jetë korrekte dhe e drejtë.
-BE dhe SHBA këmbëngulin që detyrimet e palëve nga ujdi të mëparshme të zbatohen pa vonesë. Me këtë nënkuptohet Asociacioni i Komunave Serbe, pjesërisht autonom, që Prishtina e refuzon.


