Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se KFOR-i ka kërkuar pak kohë për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.
Kurti tha se janë në pritje të veprimeve të KFOR dhe sipas tij kjo është rruga më e mirë e mundshme për zgjidhjen e situatës.
Gjithashtu shefi i qeverisë së Kosovës e quajti bllokimin e rrugëve si të papranueshëm, ndërsa tha se s’duhet të përsëritet në të ardhmen.
Ai i ka bërë thirrje KFOR’it që ta garantojë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.
“KFOR po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR’in është zbutje, le të quhet zbutje. Por për të mirën e përgjishme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme. Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje KFOR’it që ta garantojë lirinë e lëvizjes.
KFOR’i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurtë, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim. Bllokimi i lëvizjes, bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lirinë e lëvizjes, nga banda kriminale që qëllojnë mbi Policinë tonë e mbi policinë e EULEX’it, jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet edhe të jetë i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim”, deklaroi Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.


