Mediat serbe i kanë bërë jehonë deklaratave të avokatit dhe analistit nga Kosova, Azem Vllasi i cili në një intervistë mediatike ka theksuar se vendi nuk duhet të heqë dorë nga masa e reciprocitetit me Serbinë.
“Sipas fjalëve të tij, aleatët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se Serbia dëshiron të krijojë tensione, raporton shkrimi kosovar online i shtypit të Prishtinës. Vllasi po ashtu ka theksuar se nuk është specifikuar se kur do të zbatohet reciprociteti”, shkruan B92 në artikullin online ku citon analistin nga Kosova.
“Nuk specifikohet se çfarë do të ndodhë saktësisht pas një muaji. Është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje. Brukseli dhe aleatët perëndimorë duhet të luajnë rolin e ndërmjetësit në këtë çështje. Kosova duhet të ketë kontroll mbi tërë territorin e saj. Nëse marrëveshja do të arrihet brenda 29 ditëve apo nëse do të vonohet pak më shumë, nuk është pyetja më e rëndësishme. Megjithatë, parimi i reciprocitetit nuk duhet të braktiset. Serbia është ajo që duhet të sillet ndryshe dhe të anulojë lëshimin e dokumenteve përcjellëse për qytetarët e Kosovës ose të pajtohet me reciprocitet”, ka thënë Vlasi.
Vllasi shtoi se situata aktuale i kujton rrethanat e vitit 1987.
“Atëherë Serbia bënte lojë manipulimi dhe dezinformimi”, tha Vllasi.
Vllasi tha se thirrja e aleatëve ndërkombëtarë për të shtyrë zbatimin e vendimeve për reciprocitet nuk tregon se ata kanë mirëkuptim për Serbinë.
“Ata vlerësuan se Serbia dëshiron të krijojë tensione në Kosovë dhe në rajon për të larguar vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë. Perëndimorët janë në favor të qetësimit të situatës dhe shtyrjes së kësaj çështjeje. Asnjë nga perëndimorët nuk tha të hiqet dorë nga parimi i reciprocitetit”, tha Vllasi.
Vllasi shtoi se të gjithë tashmë janë mësuar me “skenarin dhe aktin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq” dhe theksoi se nuk ka mundësi që Serbia të sulmojë Kosovën.
“Serbia nuk ka mundësi të angazhohet ushtarakisht në Kosovë, sepse do të hynte në luftë me NATO-n. Kosova nuk është anëtare e NATO-s, por NATO është prezente në Kosovë”, ka përfunduar Vllasi, citon media serbe B92.