Është tensionuar protesta e opozitës te “Kthesa e Kamzës”, ku edhe është stacionuar pjesa më e madhe e deputetëve demokratë dhe drejtuesit më të lartë të selisë blu.
Teksa protestuesit janë rrethuar nga efektivë të shumtë të FNSH-së me skafandra, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është prononcuar për mediat duke kërkuar largimin e policisë nga vendi i tubimit.
Ai është shprehur se nëse policia nuk ikën, turma do të shkojë drejt Surrelit, ku edhe ndodhet shtëpia e kryeministrit Edi Rama.
“Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Po nuk larguan në mënyrë urgjente narkopolicët, këta banditë të veshur me uniformë policie”, tha Noka.
“Po mbroni narkot. Nga po i mbroni, nga qytetarët? Nuk meritoni të qeveriseni nga një drejtor që është përfaqësues i krimit të organizuar dhe as nga një kryeministër që është përfaqësues i narkosit në këtë vend”, i ka thënë Noka – policëve.
Ndërkohë, deputeti demokrat Asllan Dogjani i ka kërkuar protestuesve që të shmangin përplasjet me policinë dhe njëherësh u ka kërkuar forcave të rendit që të largohen e të shmangin provokimet.
“Dilni në rrugë atje, s’kena punë me policët fare ne. Ne protestojmë për të drejtat tona”, ishin fjalët që Dogjani u tha protestuesve.