Marrëdhëniet mes Francës dhe Italisë, të vështirësuara që prej ardhjes së populistëve në pushtet në Romë, kanë hyrë në një fazë delikate për disa çështje.
Dy forcat politike që mbështesin qeverinë e re në Romë, Lëvizja Pesë Yjet (L5Y, antisistem) dhe Liga e Veriut (ekstremi i djathtë), kanë bërë fushatë për mbrojtjen e interesave të Italisë në vend dhe kryesisht në Europë.
Kundërshtimi i disa rregullave europiane, kontrolli i imigracionit, rishqyrtimi i projekteve infrastrukturore, janë çështjet për të cilat Italia dhe Franca kanë pasur vazhdimisht përplasje.
“Marrëdhëniet franko-italiane janë problematike që prej vitit 2011 dhe që prej ndërhyrjes në Libi”, theksoi Jean-Pierre Darnis, profesor në Universitetin e Nicës, në jug të Francës.
Për më tepër, thekson eksperti, për raportet mes dy vendeve, situata është përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit pas disa çështjeve si riblerja e kantierit detar STX nga kompania italiane “Fincantieri”, tensionet mes grupit francez “Vivendi” dhe italian “Mediaset” si dhe situata në kufirin e Ventimiljas që ka konkretizuar vështirësitë mes dy vendeve për çështjen migratore.
Në këtë kuadër, nuk ka rëndësi se çfarë problemi bëhet një çështje shtetërore, ashtu si thirrja, shumë e pazakontë, e ambasadorit të Francës në Romë, Christian Masset, më 30 mars, pas kontrollit të një migranti nga doganat franceze në territorin italian, i gjykuar i papranueshëm në Romë.


