Zbulimi i numrit të telefonit që ka përdorur para vrasjes, viktima Ruzhdi Hoxha, është kthyer në fijen kryesore, që çoi policinë e Tiranës, në zbardhjen e rrëmbimit dhe më pas vrasjes e zhdukjes së trupit të biznesmenit 43-vjeçar Rruzhdi Hoxha.
Hetimi i kësaj ngjarje është udhëhequr nga Drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, i cili ka angazhuar dhjetëra forca policie, me shpresën e vetme se do të arrinte të gjente të gjallë, Rruzhdi Hoxhën.
Sipas një relacioni të policisë kriminale, zhdukja e biznesmenit është bërë në 20 tetor 2021 në zonën e “Ardenos” në Autostradë, teksa ai qëndronte në një kafene me dy persona të tjerë, miq të viktimës. Personi që është paraqitur në këtë kafene dhe e ka marrë me makinë ishte dhe shoku i viktimës, Ferdinand Rrushi, i cili ndodhej në mjet edhe me dy persona të tjerë.
Raporti konfidencial i siguruar nga “Ora News”, thotë se familjarët kanë mbërritur në polici 4 ditë pas ngjarjes, duke bërë fillimisht kallëzim penal në komisariatin nr. 5 në Kamëz dhe më pas çështja është transferuar tek Drejtoria e Hetimit të Krimeve kundër Jetës në policinë e kryeqytetit.
Kjo drejtori të parin që ka shoqëruar dhe marrë në pyetje, ka qënë Ferdinand Rrushi, person me precedentë të mëparshëm kundër jetës së personit, pasi në dy raste të tjera ka qëlluar me armë dy qytetarë në Tiranë.
Ferdinand Rrushi, njihet si person problematik edhe për sa i përket kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Tiranë dhe jo vetëm.
Qeni Brendi, që gjeti gjashtë trupa në rrënojat e tërmetit, zbuloi dhe trupin e Rruzhdi Hoxhës mbuluar me zhavorr e gurë
Rrushi gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se në orët e vona të datës 20 Tetor 2021, ka qënë nën shoqërinë e Rushdi Hoxhës, duke treguar se: “…Ruzhdiu, ka hipur në makinën time tip “Passat” dhe nga zona e zdruktharisë, jemi nisur në Fushë-Mëzes, pasi në këtë vend më kërkoi ta çoja. E kam çuar në Fushë-Mëzes, duke e lënë tek stacioni vetëm, pasi siç më tregoi Rruzhdiu, aty do vinte që ta merrte një vajzë…”.
Pikërisht këtu shkëputej gjithçka, pasi vetë Ferdinandi “lante” duart me policinë dhe familjarët se kishte lënë në stacion autobusi, mikun e tij, Rruzhdi Hoxha. Ndërsa kamerat e sigurisë të disa karburanteve dhe bizneseve të zonës, tregonin se vetëm Ferdinandi me makinën tip “Passat”, atë mbrëmje kishte ikur në drejtim të Qafë-Mollës, mbrapa malit të Dajtit.
Ky detaj u përplas me një detaj tjetër, që çuan në kontradiktë, Ferdinand Rrushin, pasi ky i fundit kishte treguar se mbrëmjen e 20 tetorit dhe 21 tetorit, ishte larguar në Martanesh, ndërsa kamerat e sigurisë nxirnin makinën e tij, duke udhëtuar në drejtim të Qafë-Mollës, informon Ora News