Një atentat me armë zjarri i mori jetën 28-vjeçarit Klaudio Prendi në orët e para të mëngjesit të së martës në Tiranë. Ai u qëllua me armë zjarri sapo doli nga një lokal në rrugën “Xhanfize Keko”, pranë zonës që njihet si “Kryqëzimi i Oxhakut”.
Makina e autorëve ka ardhur nga rruga e Freskut. Sapo 28-vjeçari ka dalë nga lokali dhe është futur në mjetin e tij, ata e kanë qëlluar. Plumbat e kanë kapur në kokë dhe kraharor.

Menjëherë autorët janë larguar me shpejtësi dhe mendohet se kanë shkuar në Farkë, pasi aty është gjetur një makinë e djegur.
Ndërkohë pasi kanë parë skenën, shokët e viktimës kanë dalë me vrap nga lokali. Ata kanë hipur në makinën e viktimës dhe janë nisur drejt Spitalit të Traumës. Aty i riu nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.


