Mjeku i njohur, Ilir Alimehmeti, ndërsa ka publikuar një studim të fundit të realizuar në Kanada, i ka dhënë përgjigje disa shqetësimeve shumë të rëndësishme në lidhje me COVID dhe transmetueshmërinë e virusit.
Shpesh të rinjtë ‘akuzohen’ se janë ata me pakujdesinë e tyre që po ‘kontribuojnë’ në rritjen e numrit të infeksioneve, por mjeku thotë se nuk janë të rinjtë përgjegjës.
Alimehmeti shkruan se në vendin tonë, të rinjtë janë grup mosha, e cila është më pak e përgjegjshme dhe më pak e rrezikshme për të transmetuar virusin tek të tjerët, sidomos në familje.
Kjo për faktin se personat e grupmoshës 20-30-vjeç, janë më asimptomatikë dhe, sipas studimit, kjo kategori janë kategoria më pak e rrezikshme në transmetimin e virusit.
Sipas mjekut, shkak i rritjes së infeksionit është vonesa në kryerjen e tamponeve.
Postimi i plotë:
“Ai që ka shëndet ka shpresë; dhe ai që ka shpresë, ka gjithçka.”
Cit.: Owen Arthur
Në situatën tonë epidemiologjike miqtë e mi, 71.7%* e vatrave janë vatra familjare (*Ministria e Shëndetësisë, 11.02.2021).
Shqetësimi është i ndryshëm sipas moshës dhe, me të drejtë, më të rinjtë shqetësohen më shumë të mos e fusin në shtëpi virusin, ndërsa më të moshuarit shqetësohen të mos i vijë fare virusi në shtëpi.
Por çfarë ndodh realisht brenda shtëpive me të infektuar nuk kemi informacion të saktë, përveç atij të referuar me gojë në bazë eksperiencash personale apo profesionale.
Shpjegim i disa termave teknikë:
Rasti indeks (index case) është rasti i parë që ndodh në familje, pra kush e fut virusin në shtëpi.
Rastet sekondare (secondary case) janë rastet që ndodhin si rrjedhojë e infektimit nga rasti indeks.
SAR (secondary attack rate – raporti i infektimit sekondar) është mundësia që një infeksion të ndodhë ndër persona brenda një grupi specifik (në këtë rast brenda familjes).
SAR ka aftësinë të ofrojë një indikator për të vlerësuar se si ndërveprimet sociale lidhen me riskun e transmetimit. (Liu et al. The Lancet 2020)
Këta indikatorë i ka studiuar siç duhet Instituti i Shëndetit Publik të Ontarios (Kanada), dega e Mbrojtjes së Shëndetit, dhe mund të na ndihmojë të kuptojmë disa pika kyçe shumë aktuale edhe në Shqipëri.
A janë të rinjtë risku më i madh për familjen?
A transmetojnë më pak personat pa simptoma?
A luan rol vonesa e testimit të rastit të parë në familje?
Instituti i Shëndetit Publik të Ontarios (Kanada) studioi:
29.352 familje, me
16.404 raste sekondare.
Le t’i marrim me rradhë pyetjet më lart!
A janë të rinjtë risku më i madh për familjen? (Tabela 1)
Mosha më pak e rrezikshme për transmetimin sekondar është grupmosha 20-30 vjeç.
Në detaj, SAR sipas grupmoshës së rastit të parë në familje:
0-10 vjeç: SAR = 18.9%
10-20 vjeç: SAR = 17.7%
20-30 vjeç: SAR = 16.5%
30-40 vjeç: SAR = 18.0%
40-50 vjeç: SAR = 19.9%
50-60 vjeç: SAR = 23.3%
60-70 vjeç: SAR = 24.2%
70-80 vjeç: SAR = 25.9%
>80 vjeç: SAR = 34.6%
A transmetojnë më pak personat pa simptoma? (Tabela 1)
Asimptomatikët: SAR = 6.2%
Simptomatikë: SAR = 22.1%
A luan rol vonesa e testimit të rastit të parë në familje?
Shpjegim:
Vonesa e testimit është vonesa (në ditë) ndërmjet shfaqjes së simptomave të rastit të parë në familje dhe marrjes së kampionit për testim nga profesionistët shëndetësorë.
Pa simptoma (referencë): SAR 6.2%
<0 ditë (para shfaqjes së shenjave): SAR 8.2%
0 ditë vonesë (dita e shfaqjes së shenjave): SAR 13.0%
1 ditë vonesë: SAR 18.5%
2 ditë vonesë: SAR 21.8%
3 ditë vonesë: SAR 21.5%
4 ditë vonesë: SAR 23.8%
≥5 ditë vonesë: SAR 28.9%
Këto të dhëna flasin për faktin se të rinjtë janë relativisht më asimptomatikë ose të sëmurë më lehtë e, si rrjedhojë, edhe risku për të infektuar të tjerë është më i ulët.
Autorët dalin në përfundimin se:
Risku më i lartë për infektime sekondare është më i lartë në familjet ku:
rasti i parë ka vonesën më të lartë ndërmjet shfaqjes së simptomave dhe testimit,
rasti i parë ka moshën më të lartë,
rasti i parë është simptomatik, dhe
familjet që janë më të mëdha në numër.
GJETJET TONA PROPOZOJNË KRYERJEN E TESTIMEVE TË MENJËHERSHME SI METODË PËR TË REDUKTUAR TRANSMETIMIN FAMILJAR DHE INCIDENCËN E COVID-19.
Pra, miqtë e mi, çfarë përfundimesh nxjerrim, duke marrë parasysh se Shqipëria nuk është Kanada?
Së pari, mos t’i anatemizojmë të rinjtë tanë pasi risku prej tyre është i njëjtë (ndoshta edhe më i ulët) në krahasim me moshat e tjera.
Së dyti, vonesa/mungesa e testimeve është shtysa më e lartë e rritjes së transmetueshmërisë!
Pra, le të pranojmë që kemi një problem testimesh dhe jo një problem rinie!
Ndërkohë vazhdojmë të zbatojmë të gjitha masat minimale që na kërkohen, të ruajmë veten dhe të tjerët.