Nuk kishte ndodhur ndoshta kurrë më parë në historinë e Shqipërisë, një situatë si kjo në të cilën gjendet sot tri institucionet më të rëndësishme ligjzbatuese të vendit. Brenda dy muajve të fundit janë larguar nga drejtimi i tyre Shefi i Shërbimit Sekret Visho Ajazi (Lika), Kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. I pari dha dorëheqjen. I dyti, në përfundim të mandatit u zëvendësua nga Parlamenti. I treti, u lirua nga detyra.
Deri këtu nuk ka asgjë e jashtëzakonshme në dukje, pasi nuk është hera e parë që drejtuesit e tyre ndërrohen në këtë vend, si në përfundim ashtu edhe përpara mandatit që përcakton ligji e Kushtetuta. Por problem qëndron se asnjëri prej tyre, nuk është zëvendësuar deri më sot. Pasi të tre drejtuesit aktualë të këtyre institucioneve, janë sot në detyrë si… TE PERKOHSHEM.
HELIDON BENDO, ish- zëvendësi i Visho Ajazit, i propozuar për Kryetar të Shërbimit Informativ, ende nuk e ka marë dekretin e emërimit nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Nuk dihet ende se kur mund ta marë, megjithëse është në pritje për këtë, që prej 30 tetorit 2017.
ARTA MARKU u votua nga Parlamenti më 18 dhjetor në një seancë tejet të tensionuar për shkak të protestës së opozitës. Ajo ligjërisht është Prokurore e Përgjithshme e Përkohëshme në detyrë. Sepse reforma e re në drejtësi, përcakton që emërimi i Kryeprokurorit të Përhershëm duhet të realizohet pasi kandidaturat të kenë kaluar më parë procesin e Vettingut dhe nëpërmjet KLP (Këshillit të Lartë të Prokurorisë) i cili ende nuk ëshë ngritur për të nisur nga funksionimi.
REBANI JAUPI, deri pesë ditë më parë ka qenë zëvendësi i Hako Çakos. Në të njëjtën ditë që ai u lirua nga detyra, Jaupi u komandua për të bërë funksionet e përkohëshme të Drejtorit të Përgjithshëm. Hapja e konkursit për pesë grada si “Drejtues i Parë” është konsideruar edhe si pikënisja e procesit për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përhershëm të Policisë së Shtetit.
Në këtë mënyrë, Shqipëria duket se ndodhet në një fazë tranzicioni shumë delikat dhe të rëndësishëm, përsa i përket institucioneve të sigurisë kombëtare dhe luftës ndaj kriminalitetit. Profili i drejtuesve të rinj e të përhershëm të SHISH, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit, me siguri do të përcaktojnë edhe cilësinë e zbatimit të reformës në drejtës dhe edhe të shtetit tonë ligjor në të ardhmen.
Përgatiti: Alpenews.al





