Një histori nuk i ngjan tjetrës, dikush ka babanë, dikush tjetër vëllanë, por ka edhe nga ata qytetarë që kanë më shumë se 1 familjarë të shtruar në spital. I tillë është rasti i një qytetari që për mikrofonin e Report Tv rrëfen se ka katër të afërm të shtruar.
“Kam shumë të shtruar, kam 4 familjarë. Janë këtu prej 2 javësh. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, sëmundja bën të veten. Flasim me ta në celular, por jo shumë se nuk duam t’i lodhim. Nuk e dimë se kur do dalim, se kjo sëmundje agravon nga momenti në moment. Kemi kontakt me mjekët, por jo herë pas herë se ato janë në detyrë. Nuk është problem ekonomikisht, ne fusin ndonjë gjë që nuk e ka spitali se shërbimi dhe ushqimi është shumë i mirë”, rrëfen ai.
Të tjerë detyrohen që të bëjnë me orë të tëra rrugë, çdo ditë, për t’iu gjendur pranë familjarëve të tyre në këto momente të vështira. Ky është një qytetar që vjen nga qyteti i Shkodrës, të cilit i ka mbetur merak se përse nuk e ka sjellë në kohë të afërmin e tij për mjekim në spital. Për këtë, ai nuk nguron që t’iu bëjë apel të gjithë atyre që e dëgjojnë, që t’i drejtohen spitaleve sapo ndonjë i afërm i tij të shfaqë simptomat e COVID-it.
“Nga Shkodra, kam një të afërm. Prej 3 ditësh është këtu, flasim në celular me të shërbimet janë të mira, infermierja i rrin te koka. Është 44-vjeç, e kemi sjellë shumë vonë, se është dashur të sillet më herët. Kishte temperaturë, marrje fryme, e kemi sjellë pak vonë, e kemi mbajtur në shtëpi, hajt se po kalon, Kushdo që ka të sëmurë ta çojë në spital, një shërbim që bëjnë këta infermierë është i papamë, InshAllah ua çoni Zoti në familjet e tyre”, tregon ai.
Është komentuar shumë fakti se përse nuk u lejohet celulari pacientëve të shtruar, por familjarët pohojnë të kundërtën. Ato tregojnë se flasin në celular me të afërmit e tyre, ku informohen për gjendjen shëndetësore. Megjithatë komunikimet janë të shkurtra, për të mos i lodhur shumë.
“Pak përpara fola me vëllanë, nuk e dimë se kur do dalë. Fola me celular, e mban telefonin”, rrëfen një qytetar.
“Kam të shtruar babai, u bënë tre ditë, i kam sjellë gjëra që i duhen. Kam folur me babin në celular, në mëngjes, gjendja duket stabël”, rrëfen një tjetër.


