Ditët e nxehta të verës kanë bërë që kush ka mundësi t’i drejtohet plazhit, brenda ose jashtë vendit, e këtë kanë bërë edhe ministrat e qeverisë Rama II.
Teksa Kuvendi nuk ka mbyllur ende zyrtarisht punimet, si duket disa prej politikanëve nuk kanë pritur datën 30 korrik.

Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, është pushues i përvitshëm i plazhit të Dhërmiut. Ai shihet aty çdo verë bashkë me familjen dhe miqtë e tij e shpesh edhe në shoqërinë e miqve politikanë.

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, u pa në plazhin e Dhërmiut fundjavën që lamë pas. Ai ishte me bashkëshorten dhe fëmijët. Ajo që na bëri përshtypje, ishte fakti se Peleshi ka ndenjur një kohë të gjatë me bluzën veshur dhe i përqendruar duke bërë foto të natyrës së mrekullueshme të Dhërmiut.

Këto ditë të nxehta të korrikut, Ministri i Energjitikës, Damian Gjinuri, ka zgjedhur ta kalojë fundjavën në plazhin e Dhërmiut.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ishte edhe fundjavën e kaluar në Dhërmi, ku u pa të bënte ecje të gjata si një mënyrë për tu stërvitur në ajrin e pastër të asaj zone.




