Ministri amerikan i Financave, Scott Bessent, ka forcuar mesazhin e Donald Trump drejtuar aleatëve evropianë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të tërhiqen në çështjen e Grenlandës, duke theksuar se Europa është “shumë e dobët” për të garantuar sigurinë e saj në mënyrë të pavarur.
Gjatë një interviste në “Meet the Press” të NBC News, Bessent minimizoi kërcënimet e Bashkimit Evropian për të anuluar marrëveshjen tregtare të arritur vitin e kaluar me administratën Trump, duke nënvizuar se presidenti amerikan përdor ndikimin strategjik si një mjet presioni për të arritur objektivat e tij.
“Para së gjithash, marrëveshja tregtare nuk është finalizuar ende dhe një veprim i jashtëzakonshëm mund të jetë krejtësisht ndryshe nga një marrëveshje tjetër tregtare,” deklaroi ai të dielën, duke shtuar se Trump “po përdor fuqitë e emergjencës për ta bërë këtë.”
Kujtojmë se të shtunën Trump njoftoi vendosjen e tarifave 10% mbi produktet nga tetë vende evropiane, me efekt nga 1 shkurti, me parashikim për rritje në 25% në qershor, nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen e Grenlandës”.
Ky veprim shkaktoi reagime të ashpra, me presidentin francez, Emmanuel Macron, që e quajti masën “të papranueshme” dhe paralajmëroi aktivizimin e mekanizmit më të fortë të kundërmasave të BE-së.
Bessent paraqiti një argument më të gjerë për kërkesën amerikane për Grenlandën, duke përmendur konkurrencën në rritje gjeopolitike në Arktik, planet e Trump për vendosjen e mbrojtjes antiraketore “Golden Dome”, si dhe varësinë historike të Evropës nga energjia ruse, e cila sipas tij “ka financuar operacionet ruse kundër Ukrainës.”
Kur u pyet nëse qëndrimi i Trump ndaj Evropës është thjesht një taktikë negociuese, ministri amerikan la të kuptohet se presidenti nuk ka ndërmend të ndryshojë linjë: “Evropianët duken të dobët, ndërsa SHBA-të tregojnë forcë,” tha ai. “Presidenti beson se siguria e forcuar nuk mund të arrihet pa përfshirë Grenlandën si pjesë të Shteteve të Bashkuara.”
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të liderëve evropianë se një hap amerikan për të marrë Grenlandën mund të çojë në shpërbërjen e NATO-s pas më shumë se 70 vjetësh, Bessent e quajti këtë dilemë “të rreme”. “Liderët evropianë do ta pranojnë dhe do të kuptojnë se kanë nevojë për ombrellën e sigurisë së SHBA-ve,” përfundoi ai.


