Kreu i komisionit të Ekonomisë,deputeti socialist Erion Braçe ka qenë mjaft i ashpër ndaj qeverisë. Ai kërkoi që banorët e zonës të mund të përjashtohen nga tarifa, pasi sipas tij ajo nuk është autostradë, por një rrugë urbane.
“Nga ajo që ju thoni me plot të drejtë, mua më është dukur një rrugë urbane që i krijon mundësi një qarku të tërë të udhëtojë më shpejt në pjesë të tjera të vendit. Po nga pikëpamja e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve me qëllim turizmin, nuk më rezulton. Ajo që natyrisht në krahun tjetër ishte qëllim i dytë, elementi social i ndikimit të drejt për drejt në uljen e varfërisë së asaj zone, nuk më rezulton. Dhe ngjarjet e fundit, se këtu do dal te pyetjet e tjera, më bën të mendoj që varfëria e qarkut të Kukësit nuk është ulur. Rruga nuk ka çuar ekonominë në Kukës, siç u premtua dhe me kosto të madhe të vjedhjes brenda. Për shkak të këtij shqetësimi që është varfëria e atyre banorëve në Kukës, nuk kam asnjë lloj ndjesie sa para do paguaj në rrugën e Kombit Lulzim Basha, Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Edi Rama etj. Më i intereson vetëm ajo kategori që u adresuat ju, u bë solidariteti i një Shqipërie të tërë për ta bërë atë rrugë, po që nuk përfitoi atë që duhej të përfitonte si qëllim, që u tha, ndikimi në varfëri. Ajo që ju duhet të kishit bërë shumë kohë më parë. Komunikonit me njerëzit, me deputetët, me mediat, dhe thënë të gjitha këto sikur të kërkonit ndjesë për këtë nuk do ishte gjë e madhe, jo thjesht ju si ministër i ekonomisë dhe financave po gjithë qeverisë?”, tha Braçe.
Banorët duhet të përjashtohen nga pagesa e tarifës tha Braçe, duke kërkuar edhe përjashtimin e shërbimit urban, me qëllim që të mos ndikojë në çmimin e biletës.