Fiorin Durmishaj është lojtari i momentit në Superligën greke.
Sulmuesi i përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Shqipërisë i dha fitoren Panioniosit në Athinë, në fushën e Panathinakosit.
Talenti kuqezi shënoi në të 73-ën golin që vendosi ndeshjen, vetëm 12 minuta pas aktivizimit në fushë, ku zëvendësoi sulmuesin turko-gjerman, Samed Yeşil.
Me golin e shënuar, Durmishaj i dha suksesin skuadrës së tij në javën e 13-të të kampionatit, me Panioniosin që kthehet te fitorja që mungonte prej pesë ndeshjesh dhe i afrohet zonës së kupave të Europës.
Për 21-vjeçarin që është shndërruar në një prej shpresave më të mëdha të futbollit shqiptar ky ishte goli i tretë sezonal në Superligë, pas atyre përballë ekipit të Korfuzit dhe Olympiakosit të Pireut.


