Nga 1 Janari i vitit të ardhshëm taksa mbi pronën do të pësojë rritje të ndjeshme.
Shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone.
Sipas tabelave të reja të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës do të rritet me 54% për të kapur vlerën e 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë që do mblidhen këtë vit.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në draftin e buxhetit të vitit 2018 parashikon totalin e të ardhurave të arrijë deri në 60 milionë euro.
Ndryshimet në ligjin për taksat vendore kanë prekur vetëm taksën e ndërteses ndërsa taksa për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.
Ekspertët e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kanë nxjerrë si nivelin më optimal të taksimit nivelin 0.05% të vlerës së ndërtesës. Kjo përqindje është përllogaritur si vlera më e përballueshme për ata që e paguajnë këtë taksë dhe për ata që do paguajnë për herë të parë.