Presidenti Hashim Thaçi po bën përpjekje të vazhdueshme për t’u instaluar si kryenegociator në bisedimet me Serbinë. Ai ka realizuar një takim privat me Nexhat Dacin, kryetarin e ASHAK-ut, të cilit i ka bërë ftesë që edhe Akademia të bëhet pjesë bisedimeve. Presidenti po vazhdon të bëjë lojëra fjalësh kur është fjala te kërkesa e Luginës së Preshevës. Ai thotë që kërkesa e tyre për bashkim me Kosovë do të prezantohet kur të bëhet demarkacioni i kufirit me Serbinë.
Por, Thaçi teksa po flet për kërkesën e Luginës vazhdimisht po ua bënë me dije se kërkesa e tyre vështirë se do të pranohet.
Ky është postimi i plotë.
Sot zhvillova një takim të shkëlqyeshëm me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Nexhat Daci. Biseduam për zhvillimet aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova. Kryeakademikun Daci e informova për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ishte konstatim i përbashkët se në këtë proces të gjithë duhet të marrim përgjegjësi : institucionet, partitë politike parlamentare, opozita, shoqëria civile, Akademia etj. Vetëm të bashkuar mund t’i realizojmë objektivat tona: njohjen reciproke Kosovë Serbi, ulësen në OKB si dhe anëtarësimin në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare. Pretendimi i Serbisë për ndarje të Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet, në procesin e dialogut, tanimë kërkesa dhe e drejta e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës.



