Kryesocialisti Edi Rama nisi takimin përmbyllës elektoral në Elbasan me nderime për të ndjerin Qazim Sejdini, ish kryebashkiak i Elbasanit për 3 mandate, i cili ndërroi jetë në vitin 2024.
“Erdha pak më herët se ora dhe qëndruam disa minuta aty, në pritje që të vinte ora, dhe pashë gjithë këtë lumë njerëzish dhe pata një kujtim të kohës kur erdha në Elbasan për herë të parë si kryetar i PS. Ka qenë fiks 20 vite më parë dhe doja shumë sot që këtë lumë njerëzish që është mbledhur këtu nga të dy anët e dy bulevardeve, ta shikonte dikush që sot nuk është më mes nesh. Dua të besoj që Qazim Sejdini na shikon nga lart. Dua të çoheni të gjithë në këmbë dhe të bëni një duartrokitje për Qazim Sejdinin.E kemi filluar atëherë me një grusht njerëzish – jo se PS ishte një grusht – por sepse vinte nga një disfatë e madhe. Sa herë jam kthyer këtu, ai grusht njerëzish është rritur duke u zgjeruar dhe sot është kjo dorë, që më 11 maj kërkon që i gjithë Elbasani dhe të gjithë banorët e gjithë këtij qarku të bëhen bashkë për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”,-tha Rama.
“Sot, cilido që voton, investon me votë, për të nesërmen për të marrë për vete, për familjen e tij, familjen e tij, fëmijët e tij, pasaportën europiane. Dua t’ua them të gjithëve, prindërve të Elbasanit, qarkut Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, që kanë fëmijë të vegjël, në shkollë, në gjimnaz, që më 11 maj duhet të mendojnë për fëmijët që nuk kanë të drejtë vote dhe duhet të harrojnë Edin, bufin, partitë dhe duhet të kthehen nga fëmijët dhe të mendojnë se çfarë i duhet fëmijës tim sot nga unë që kam këtë votën. T’i jap një dhuratë që është më e çmuar se çdo vlerë monetare që mund t’i jap. Me pasaportën europiane merr fund një herë e mirë historia e mundimshme dhe e stërgjatë e popullit të nëpërkëmbur; me pasaportën europiane ky flamur do jetë krah për krah me të gjitha ato flamuj që i kemi parë të pararritshëm”,-tha Rama.


