Në fjalën e tij Ministri Bushati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes tre vendeve në proceset e integrimit dhe kthimin e këtij rajoni nga një hapësirë sigurie në një hapësirë zhvillimore.
Për ministrin Bushati “procesi i zgjerimit nuk mund të zhvillohet në vakum, duhet të shoqërohet me instrumente që i shërbejnë dhe procesit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe transformimit politik dhe shoqëror të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Duke vlerësuar Politikën e Dyerve të hapura të NATO-s Ministrat shprehën mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë dhe vlerësuan marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës si dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Një fokus i veçantë iu kushtua ecurisë dhe ndërveprimit për avancimin e projekteve me rëndësi strategjike si Korridori Adriatiko-Ionian dhe Gazsjellësi që do lidhë linjën Trans-Adriatike me Kroacinë nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, por edhe bashkëpunimit në fushën e energjisë, turizmit dhe mjedisit.


