Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim mesditën e sotme zhvilloi një takim për rreth një orë me Edi Ramën për çështjen e teatrit dhe reformën zgjedhore. Shkallët e Kryeministrisë, Kim i ngjiti rreth orës 11:45 ndërsa takimi zgjati deri në orën 13:00.
Ambasada e SHBA-së në një njoftim në faqen zyrtare thekson se Yuri Kim u takua sot me Kryeministrin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit.
Ambasadorja sipas njoftimit theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE.
Po sipas njoftimit të ambasadës së SHBA-së, “ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakortësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë.
Ambasadorja Kim do të takohet edhe me kreun e PD-së Basha së shpejti” mbyllet njoftimi. Ky ishte takimi i dytë brenda katër ditëve mes Ramës dhe Kim, e cila zhvilloi një bisedë edhe me shefen e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga.
Ndërkohë që Lulzim Basha paraditen e sotme priti në seli ambasadorët e BE-së për t’i informuar mbi situatën politike dhe ekonomike të parë në vështrimin e tij.