Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi ndodhen në Turqi që prej ditës së djeshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Kushi njofton se ka zhvilluar një takim me Presidentin e Këshillit të Arsimit të Lartë të Turqisë Prof. Dr. M. A. Yekta Saraç.
Kushi dhe Saraç janë dakordësuar mbi planin e veprimit për hapjen së shpejti të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit (ITÜ) në Shqipëri.
“Sot në Ankara zhvillova një takim shumë të frytshëm me Presidentin e Këshillit të Arsimit të Lartë të Turqisë Prof. Dr. M. A. Yekta Saraç, me të cilin dakordësuam mbi planin e veprimit për hapjen së shpejti të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit (ITÜ) në Shqipëri.
Gjithashtu, diskutuam gjerësisht për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona nëpërmjet projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor,” shkruan Kushi në postimin e saj.