Pak më shumë se një muaj nga largimi i Gianni De Biasit nga stoli kuqezi, Federata Shquptare e Futbollit emëroi si pasardhës të tij Cristian Panuccin.
Arritjet me Gianni De Biasin e shtynë presidentin e FSHF-së Armand Duka, t’i besonte sërish një trajneri italian.
Mes Clarens Seedorf, Luigi De Canios dhe Cristian Panuccit, kreu i FSHF-së zgjodhi pikërisht këtë të fundit, pra ish-mbrojtësin italian, që si eksperiencë të vetme në rang kombëtaresh kishte të qenit ndihmës i Fabio Capellos te përfaqësuesja e Rusisë.
Panucci u zyrtarizua si pasardhës i De Biasit me 19 korrik, me objektiv kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2020. Në pamundësi për të zhvilluar qoftë një ndeshje miqësore prova e parë e Panuccit ishte fitorja 2-0 me Lichtensteinin.
Më pas erdhën barazimi 1-1 me Maqedoninë dhe humbjet 3-0 me Spanjën dhe 0-1 me Italinë. Sfida e “Loro Boriçit” me ‘të kaltrit’ ishte pengu i Panuccit për këtë vit, pasi kuqezinjtë luajtën shumë mirë dhe meritonin të paktën një pikë me 4 herë kampionët e Botës.
Gjithsesi, Panucci i rriti kredencialet në miqësoren me Turqinë, ku hodhi në fushë një formacion sulmues dhe fitoi 2-3, ndonëse për pjesën më të madhe të kohës luajti me një lojtar më pak në fushë.
Vitin që vjen kuqezinjtë nën drejtimin e Panuccit do të nisin fushatën e eliminatoreve të EURO 2020, me synimin për t’u kualifikuar.