Njëjtë si gjuha e bashkëshortit të saj presidentit Ilir Metës, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, sulmoi kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, sa i përket procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që më shumë se sa po ndihmon në vënien në punë të saj, po e fut Kushtetuesen në ngërç. Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Uashingtoni, Kryemadhi ngriti pyetje se çfarë lidhje mund të ketë kreu i KED-së Qendrën e Botimeve Zyrtare, ku tha se drejtoreshë e publikimeve është bashkëshortja e avokatit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, avokat Maks Haxhisë. Kryemadhi ju referua në këtë deklaratë faktit që në Fletoren Zyrtare është botuar Arta Vorpsi anëtare në Gjykatën Kushtetuese, dhe jo dekreti i Presidentit për Marsida Xhaferllarin.
“Kapja e shtetit është në mënyrë perfekte. Me ç’të drejtë zoti Dvorani boton në Fletoren Zyrtare vendimet e KED? Sipas ligjit nuk ekziston që zoti Dvorani të botojë publikimet. Bashkëshortja e avokatit të Saimir Tahirit, Maks Haxhia, është drejtoreshë e publikimeve, nuk ka publikuar dekretet e presidentit Meta. Zonjën Vorpsi e ka shpallur gruaja e Maks Haxhisë i cili është avokat i Saimir Tahirit”, tha Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së, tha se qëllimi ka të mos ngrihej KED derisa të vinte Dvorani e të bëhej drejtor dhe të bënte kriteret për emërimin e tij nga Parlamenti. “Të vijë sërish mundësia të jetë në KED për të qenë në krye të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Kryemadhi.
Njëjtë si presidenti Meta, edhe Kryemadhi tha se Gjykata Kushtetuese tashmë është ngritur. “Ka një proces dhe shumë çështje për të diskutuar, që nga dekretet e presidentit, që nga zaptimi i zyrave nga kryetarë bashkish, ligji për koncensionet, etj”, shtoi kryetarja e LSI.


