Aktori Neritan Liçaj, ka mbajtur një fjalim në sheshin e Teatrit Kombëtar, ku u është drejtuar aktorëve që kanë firmosur peticionin pro shembjes së Teatrit Kombëtar.
Liçaj thotë se firmëtarët e këtij peticioni, duhet të kenë kurajon të dalin me zë dhe figurë pro shembjes së Teatrit dhe se nesër, nuk do të kenë moral të luajnë role në Teatrin e rikonstruktuar.
“A mund të dilni me zë dhe figurë dhe të tregoni se jeni për prishjen e Teatrit? Kaq na detyroheni, ne që kemi dy vjet e tre muaj që rrimë këtu.
Të gjithë ju profesorët e mi që më keni edukuar në këtë skenë, të gjithë ju kolegëve, që keni nxitur shkollat dhe keni ëndërruar të krijoni aktorë, a mund të dilni dhe ta thoni me zë dhe figurë, se ju jeni për prishjen e Teatrit Kombëtar? Kini kurajon!
Unë kam dalë me zë e figurë kundër prishjes, përballë pushtetit, arrogancës dhe antivlerave.
Të paktën më detyroheni të nderuar kolegë, se me një pjesë prej jush kam mbi 28 vjet këtu, nuk janë pak. Kini kurajon dhe tregoni që jeni qytetarë që i dilni për zot fjalëve tuaja dhe të mbroni mendimin tuaj.
Nesër ky Teatër do të rikonstruktohet dhe me çfarë morali, ju do të vini të luani role këtu? Me çfarë morali mund të vini ju që keni firmosur për prishjen e godinës, përballë nesh që kemi ardhur në temperatura përvëluerse dhe të acarta prej më shumë se dy vitesh?!!”
Liçaj u shpreh se Teatri Kombëtar mund të rikonstruktohet nga “Eruopa Nostra”, pa përdorur asnjë qindarkë nga paratë e shqiptarëve, ndaj nuk ka asnjë nevojë që Bashkia e Tiranës, të marrë kredi.
“Këtë Teatër e rikonstrukton “Europa Nostra” me lekët e qytetarëve europianë dhe asnjë para nga xhepat e shqiptarëve”, tha Liçaj.