Fatjon Mani është i riu i Partisë Demokratike që sulmoi sot deputeten Rudina Hajdari teksa kjo e fundit zhvilloi një takim me nxënësit e shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër ku kërkoi më shumë vëmendje për arsimin.
I riu shpjegon se pse zgjodhi ta sulmojë deputeten demokrate në shkollën ku ai më 19 Qershor vendosi flakën për ta djegur bashkë me materialet zgjedhore.
Pse pikërisht zgjodhët zonjën Rudina Hajdari?
Në radhë të parë ajo nuk është përfaqësues e opozitës. Aty ka ardhur me votat e Partisë Demokratike. Partia Demokratike është në rrugë, është me popullin, nuk është në parlament dhe kjo nuk përfaqëson askënd. Ka ardhur si deputete.
Si hytë në shkollë?
Pak rëndësi ka si kam hyrë. Kam hyrë kur ka hyrë dhe Rudina. Rudinës i kam thënë a e njeh Azemin, se nuk është bijë e saj. Azemi ka luftuar për të sjellë demokracinë në Shqipëri, kjo po lufton për të prurë komunizmin. E bija e Azemit duhet të ishte në rrugë, duhet të ishte me popullin.
A patët ndonjë problem pas ngjarjes?
Jo asnjë problem, thjesht kam dalë jashtë dhe kaq.
Ju jeni njëkohësisht anëtar i FRPD?
Jam anëtar i FRPD Shkodër si të tërë të rinjtë që duhet të jenë kundër këtij pushteti. Kjo është një arsye shumë e madhe për të mos lejuar Rudinën dhe shumë Rudina të tjerë që vijnë në Shkodër.
Jeni një ndër të dyshuarit për djegien e KZAZ në shkollën “Shejnaze Juka”?
Jam një nga të dyshuarit dhe kam qenë person në kërkim nga policia. E them hapur sepse Shkodra është demokraci, Shkodra është e dëshmorëve të demokracisë. Ne e dimë historinë e Shkodrës. Është djegur tërë Shkodra për të luftuar komunizmin dhe sot ka ardhur komunizmi në Shqipëri e duhet luftuar prapë me protesta, për të prurë edhe njëherë demokracinë në Shqipëri. Kërkimi policor ka mbaruar. Jam akuzuar për djegien e KZAZ në shkollën “Shejnaze Juka”.
Unë vazhdoj studimet e larta në Tiranë për asistent i lartë ligjor.


