Komisariati në qendër të Athinës është sulmuar nga një grup anarkistësh mbrëmjen e djeshme, nga ku janë plagosur 4 policë të saj.
Sulmi është kryer me bomba “Molotov” rreth orës nëntë në rrugën “Veranzeru”.
Sipas asaj që raportojnë mediat fqinje, sulmi është kryer nga një grup prej 50 personash, të cilët i kanë vënë flakën me bomba “Molotov” hyrjes së komisariatit, autobusit të policisë, dy makinave të policisë si dhe dy mjeteve civile.
Po sipas tyre, tre prej efektivëve të plagosur janë transferuar në spitalin ushtarak për të marrë ndihmën e mjekut, ndërsa efektivi i katërt kishte marrë plagë të lehta.
Pas sulmit, mësohet se grupi në fjalë është drejtuar drejt zonës “Eksarxia”.
Shoqata e Policëve të Athinës pritet të organizojë një protestë në mbrojtje të uniformave blu.


