Shtëpia e Bardhë të dielën hodhi poshtë çdo përpjekje për ta lidhur Presidentin Donald Trump me supremacistin e bardhë Brendon Tarrant, të akuzuar për vrasjen e 50 personave në dy xhami të Zelandës së Re.
‘Presidenti nuk është një supremacist i bardhë’, tha shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney. ‘Nuk jam i sigurt se sa herë duhet ta themi. Le ta quajmë atë që ndodhi në Zelandën e Re ashtu siç është: një akt tragjik i tmerrshëm’, ka thënë shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Sulmuesi i dyshuar Brenton Harris Tarrant, një 28-vjeçar australian, thotë në një manifest prej 74-faqesh që e publikoi pak para se të ndodhte masakra në dy xhami në Christchurch se e shihte Trumpin si ‘një simbol të identitetit të bardhë të rinovuar dhe synimit të përbashkët’, por se nuk i mbështeste politikat e tij.
Kjo deklaratë ndezi sërish kritikat se presidenti Trump nuk ka dënuar me forcën e duhur nacionalizmin e bardhë.
Presidenti Trump u sulmua gjerësisht pas një tubimi supremacist në Sharlotsvillë të Virxhinia, në vitin 2017 kur ai barazoi supremacistët e bardhë me protestuesit, duke thënë se ‘të dyja palët’ duhet të fajësoheshin.