“Ka një angazhim të jashtëzakonshëm për të zbuluar sa më shpejt autorët e sulmit ndaj banesës së gazetares Klodiana Lala dhe për t’i çuar ata para organeve të drejtësisë”.
Kështu konfirmoi sot në mbrëmje ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, duke shtuar se “këto janë përpëlitje apo akte frikacake të segmenteve kriminale në një shtet ku drejtësia është kthyer në kryefjalë”.
I ftuar në një studio televizive ku foli për tematikat që lidhen me dikasterin që ai drejton, Peleshi dënoi fillimisht sulmin ndaj gazetares Lala.
“Kjo është një ngjarje e rëndë jo vetëm për komunitetin e gazetarëve, por për gjithë shoqërinë. Kjo ngjarje na kujton edhe njëherë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe për vendosjen e sundimit të ligjit është një proces që nuk ka një fillim dhe fund”, – tha Peleshi.
Ai shprehu bindjen se, “do të kemi rezultate shumë të shpejta të hetimit, për t’i dhënë edhe një goditje këtyre elementëve kriminalë”.


