Ditën e sotme, policia ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim për sulmin me armë në Hotel “Voloreka” në Tushemisht të Pogradecit në 1 dhe 8 gusht.
Mësohet se autorët janë arrestuar në qytetin e Tiranës. Ditën e djeshme ka përfunduar në pranga Ilir Berberi, i njohur dhe si “Liri i Rushkës”, i cili është dhe organizatori i sulmit me armë ndaj pronarit të këtij hoteli, Jetmir Muçllari.
Ilir Berberi u arrestua në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar në pyllin Vërdovë të Pogradecit. 52-vjeçari akuzohet si organizatori i sulmit me armë në Hotel Vloreka dhe është një person me precedent të theksuar kriminal.
Ndërkohë që është arrestuar edhe bashkautori Mariglen Topuzi, të cilit iu vendos masa e sigurisë 30 ditë burg.
Përveç 5 personave të arrestuar, ditën e sotme ka shkuar në 7 numri i personave të ndaluar për sulmin me armë tek Hotel “Voloreka”.
Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohen se kanë organizuar sulmin ku 100 plumba janë qëlluar në drejtim të makinave të parkuara, duke dëmtuar 6 makina luksoze në hotel “Voloreka”.
Ndërkohë me 24 plumba kanë qëlluar vetëm makinën e pronarit, Jetmir Muçllari dhe kanë qëlluar edhe në drejtim të dhomës së djalit të pronarit.


