• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 10 September, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

10 September, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
STUDIMI: Foshnjat e lindura nga nëna me anemi kanë tru më të vogël
Home
Jetë

STUDIMI: Foshnjat e lindura nga nëna me anemi kanë tru më të vogël

10 September, 2026 s.autor Jetë

Foshnjat e lindura nga nëna me anemi kanë tru më të vogël, veçanërisht në disa zona të rëndësishme që lidhen me lëvizjen, të nxënit dhe rregullimin e emocioneve, sipas një studimi të ri.

Studiuesit thanë se këto ndryshime, të konstatuara për herë të parë që në moshën një-vjeçare, mund të çojnë në vështirësi njohëse kur fëmijët të nisin shkollën, raporton The Guardian.

Më shumë se një e treta e grave shtatzëna në mbarë botën vuajnë nga anemia, një gjendje që zakonisht shkaktohet nga mungesa e hekurit dhe karakterizohet nga një numër më i ulët se normalja i qelizave të kuqe të gjakut në organizëm. Simptomat përfshijnë lodhjen, vështirësinë në frymëmarrje dhe marramendjen. Shkallët më të larta të anemisë regjistrohen në Afrikën Subsahariane dhe në Azinë Jugore.

Studiues nga “King’s College London, në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga universiteti i Cape Town, në Afrikën e Jugut ndoqën më shumë se 300 nëna dhe foshnjat e tyre në Cape Town, duke skanuar trurin e foshnjave disa herë nga mosha tre muajshe deri në dy vjeç.

Mesatarisht, vëllimi i përgjithshëm i trurit të foshnjave të lindura nga nëna me anemi ishte 4% më i vogël krahasuar me foshnjat e lindura nga nëna pa anemi, edhe pse të gjitha nënat me anemi ishin diagnostikuar vetëm me një formë të lehtë të gjendjes.

Ndryshime u regjistruan në tri zona specifike të trurit: putamen, bërthama kaudate dhe korpusi kalloz.

“Të trija këto zona të trurit përfshihen në funksione të rëndësishme neuropsikologjike”, tha Jessica Ringshaw, autorja e parë e studimit dhe studiuese në Institutin e Psikiatrisë, Psikologjisë dhe Neuroshkencës (IoPPN) të King’s College London dhe në Universitetin e Cape Town. Ajo përmendi si shembuj shpejtësinë e përpunimit të informacionit, rregullimin e emocioneve dhe funksionet ekzekutive.

Diferenca mes dy grupeve të foshnjave u thellua gjatë dy viteve të para të jetës. Për shembull, korpusi kalloz ishte rreth 4% më i vogël në moshën 12 muajshe te foshnjat, nënat e të cilave kishin pasur anemi, ndërsa në moshën 24-muajshe diferenca arrinte në 6%.

Studime të mëparshme të kryera në Afrikën e Jugut, me fëmijë të vegjël dhe fëmijë të moshës shkollore, kanë gjetur ndryshime të ngjashme në vëllimin e trurit.

“Këta nuk janë fëmijë që po e kompensojnë këtë diferencë, pra raste ku ndryshimet në tru zhduken me kalimin e kohës”, tha Ringshaw.

“Ato janë ende të pranishme kur fëmijët janë gjashtë vjeç dhe nisin shkollën, dhe pikërisht atëherë këto ndryshime mund të fillojnë të shfaqen në formën e vështirësive më të dukshme njohëse.”

Sipas saj, gjetjet ofrojnë një shpjegim të mundshëm për rezultatet e studimeve të mëparshme, të cilat kanë treguar se fëmijët e lindur nga nëna me anemi kanë marrë rezultate më të dobëta në testet e zhvillimit.

Ringshaw tha se nënat me dhe pa anemi ishin, në aspekte të tjera, shumë të ngjashme për sa i përket faktorëve si të ardhurat e familjes dhe siguria ushqimore. Kjo, sipas saj, e bën ekipin më të bindur se anemia e nënës ishte shkaku i ndryshimeve të vërejtura.

Rezultatet nënvizojnë rëndësinë e trajtimit të anemisë te gratë në moshën riprodhuese, tha Ringshaw.

“Duhet të kryejmë kontrolle për aneminë dhe mungesën e hekurit, veçanërisht gjatë shtatzënisë”, tha ajo, duke rekomanduar përdorimin e suplementeve të hekurit nga goja, ose edhe administrimin intravenoz të hekurit, kur është e nevojshme.

Shkaqet e anemisë janë komplekse dhe mund të përfshijnë edhe sëmundje infektive. Studimi zbuloi se nivelet e anemisë ishin më të larta te gratë që jetonin me HIV. Për këtë arsye, Ringshaw theksoi rëndësinë e ndërthurjes së trajtimit me hekur me menaxhimin e duhur të infeksioneve.

Edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit uljen e niveleve të anemisë ndër prioritetet e saj, progresi në këtë drejtim ka ngecur gjatë dy dekadave të fundit.

“Tani, më shumë se kurrë, anemia duhet të jetë në qendër të përpjekjeve të shëndetit publik, nëse duam të sigurohemi që fëmijët jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të zhvillohen plotësisht”, tha Ringshaw.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Brain Communications, përdori skanerë të rinj të specializuar MRI, të cilët janë më të lirë dhe më të lëvizshëm sesa pajisjet konvencionale që përdoren në spitale.

Studiuesit krahasuan imazhet e marra me aparaturat tradicionale MRI me fushë të lartë me ato të marra nga pajisjet portative me fushë të ulët. Ata zbuluan se këto të fundit ishin mjaftueshëm të ndjeshme për të identifikuar të njëjtat ndryshime në trurin e foshnjave të lindura nga nëna me anemi.

Steve Williams, profesor i neuroimazherisë në King’s College London, tha se“Ky studim ka dëshmuar se teknologjia jonë e re mund të masë ndikimin e kequshqyerjes në trurin në zhvillim, në një shkallë të gjerë dhe në disa prej mjediseve më sfiduese. Kjo do të mundësojë një vlerësim të hershëm dhe të ndjeshëm të ndërhyrjeve të planifikuara.”

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ZJARRET NË VEND/ Shtatë vatra aktive, flakët vijojnë në Dajt, ndërhyjnë 400 forca dhe ushtria
Previous article U KALLËZUA NË SPAK/ Ministri Malaj: Zbatova ligjin, janë 40 milionë euro shtesë në vit

s.autor

Postime të ngjashme

TMERR NË FINANDË/ 27-vjeçari akuzohet për abuzim seksual online ndaj 361 fëmijëve, i kontaktonte nëpërmjet Snapchat-it dhe… Jetë

TMERR NË FINANDË/ 27-vjeçari akuzohet për abuzim seksual online ndaj 361 fëmijëve, i kontaktonte nëpërmjet Snapchat-it dhe…

TMERR NË AJËR! Ndodh edhe kjo, pasagjeri lidhet me ngjitës dhe zinxhirë në avion, zbulohet shkaku Jetë

TMERR NË AJËR! Ndodh edhe kjo, pasagjeri lidhet me ngjitës dhe zinxhirë në avion, zbulohet shkaku

TRAGJEDI NË ITALI/ Gjenden të pajetë në dhomën e gjumit babai, nëna dhe vajza 5 vjeçe. Dyshimet e para Jetë

TRAGJEDI NË ITALI/ Gjenden të pajetë në dhomën e gjumit babai, nëna dhe vajza 5 vjeçe. Dyshimet e para

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT