Partia Demokratike me sa duket ka një strategji të re, me qëllim dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Burime pranë Partisë Demokratike siç konfirmon “BalkanWeb” thuhet se në takimin e kryedemokratit Lulzim Basha me aleatët është vendosur të protestohet nesër tek Ministria e Brendshme.
Po ashtu pritet që të mërkurën opozitarët të marrin pjesë në komisione për të kërkuar dorëheqjen e Xhafajt. Nëse kjo nuk ndodh të enjten ata do të përshkallëzojnë protestën duke bllokuar punimet e Kuvendit.
Të njetat burime konfirmojnë se nëse ministri i Brendshëm nuk e ka dhënë dorëheqjen deri të enjten, demokratët janë të gatshëm të mos e lejojnë zhvillimin e një seance normale.
Që nga dita kur publikuan dosjen e plotë të dënimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, i cili rezultonte i dënuar si pjesë e një organizate të trafikut të drogës, demokratët kërkuan që ao të dorëhiqet. Ndërsa ministri reagoi dhe u distancua nga veprimet e vëllait, deputeti i PD-së Ervin Salianji publikoi të tjera prova të forta, një audiopërgjim të vëllait të ministrit me një trafikant. PD deklaroi se biseda e përgjuar ishte berë në kohën kur Xhafaj ishte ministër, duke shtuar se vëllai i tij bënte trafik droge nën hundën e vëllait ministër.


