“Kohëzgjatja e punës dhe ndryshimi strukturor në ekonomitë në tranzicion të Europës” është një studim i disa ekonomistëve të Bankës Botërore që ka marrë në analizë evolucionin afatgjatë të qëndrimit në punë për gjashtë ekonomi në tranzicion.
Në të përfshihen Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Federata Ruse dhe Serbia dhe një vend jo në trancizion në rajon si Turqia, dhe gjetjet tregojnë disa tendenca interesante për vendin tonë.
Sipas studimit tek analizimi i grupmoshave për secilin vend, rezulton se me përjashtim të Shqipërisë, qëndrimi në punë i grupit të punëtorëve që hynë në tregun e punës në vitet 2000 është katër deri nëntë vjet më i shkurtër se ai i punëtorëve që filluan të punojnë në vitet 1970.
“Rezultatet e zbërthimit të APC (age-period-cohor- një model i niveleve demografike që përfshin një grupmoshë të gjerë në një hark kohor të caktuar) tregojnë se, siç pritej, kohëzgjatja e punës rritet me moshën. Megjithatë, ekziston një heterogjenitet thelbësor në të gjithë vendet: Profili i moshës më të theksuar është në Shqipëri, ku kohëzgjatja mesatare e punës është 2.2 vjet në moshën 30 vjeç dhe 11.0 vjet në moshën 50 vjeç, një ndryshim prej gati 9 vitesh” thuhet në studim.
I njëjti studim sjell në vëmendje se në BE kjo diferencë është 2.3 vjet në moshën 30 vjeç dhe 10.2 vjet në moshën 50 vjeç. Të gjithë vendet, me përjashtim të Shqipërisë, kanë profile të mbajtjes së punës sipas moshës më të ulët sesa BE.
Për të gjithë vendet, me përjashtim të Shqipërisë, kohëzgjatja mesatare në punë ka ardhur duke rënë ndër breza.


