Plazhi i Jalës ndonëse është bërë i “njohur” vitet e fundit, është padyshim një nga perlat e jugut të Shqipërisë.
Më parë ka qënë i populluar nga shumë pak pushues derisa filluan të ndërtoheshin rezortet private që i sollën plazhit dhe fluksin e pushuesve.
Pamjet e mëposhtme, vijnë nga bregdeti ditën e sotme. Nëse do bënim një krahasim me vitet e tjera, një nga pushueset shprehet për AlpeNews.al, se këtë vit gjërat duken pak më të vakta.
“Kam 10 vite që e frekuentoj Jalën dhe ky vit më duket më i vakët. Sigurisht në fundjavë ka një tejmbushje të pushuesve por gjatë ditëve të tjera çdo gjë kthehet në normalitet dhe nuk është më ajo atmosfera që jëmi mësuar”.
Sido që të jetë, duhet theksuar se dhe çmimet janë të kripura e ndoshta pushuesit kanë zgjedhur destinacione të tjera. Kujtojmë se këtë vit është ndërtuar edhe një shëtitore e re, që i jep mundësi njerëzve një alternativë të mirë për pasditet.
“Dy fjalë” për Jalën:
Gjiri i Jalit pak minuta nga fshati Vuno është një nga vendet më të bukura dhe të veçanta për ujin, rërën, klimën dhe jodin e detit. Një parajsë natyrore e vizatuar si nga dora e njeriut, paraqet karakteristika shumë të dobishme për shëndetin.
I strukur thellë, mes kodrinave me ullinj e me shtëpitë e bukura të Vunoit mbi kokë, gjelbërimit të përhershëm të shkurreve, i rrethuar me shkëmbinj të lartë, që krijojnë gjire të vegjël e të mahnitshëm, plazhi i Jalës frekuentohet më shumë sidomos nga të rinjtë.
/AlpeNews.al




