Sot Ermal Meta do të mbajë koncertin e tij në Shqipëri, me premtimin se ky do jetë më i miri që ka zhvilluar gjatë gjithë karrierës . Në këtë koncert që pritet të nisë në orën 19:00, Meta ka zbuluar se do të këndojë edhe shqip, një surprizë kjo që ka përgatitur për publikun shqiptar të cilin e ka konsideruar si më të veçantin, kjo për shkak të lidhjes së ngushtë që ka me Shqipërinë, vendin ku u lind dhe u rrit.
Sot në prag të koncertit, Ermali është takuar me kryeministrin Edi Rama, të cilit i ka dhuruar edhe librin e tij me piktura.
“Super Ermal Meta e nis turin nga Tirana drejt Italisë. Ishte kënaqësi e posaçme që i ra rruga nga zyra ime, ku u ndal për një bisedë të këndshme”, shkruan Rama.
Ermal Meta do të këndojë sot në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, ku koncerti pritet të fillojë pasdite në orën 19:00. Më herët, në konferencën për shtyp, i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Meta u shpreh dje se pavarësisht se nuk është hera e tretë që këndon në Shqipëri, i duket si hera e parë dhe se po dridhej nga emocionet. Ai tha se do t’i ‘shkrijë’ të gjitha energjitë në skenë, ndonëse për të është hera eparë që do të bëjë një koncert në stadium.
Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë. Pas shumë muajsh pauze prej pandemisë, Ermali ka vendosur të kryejë turin e tij të parë muzikor. Një turne i cili do t’i japë fund mungesës së koncerteve, por në të njëjtën kohë do të ketë një rëndësi emocionale për këngëtarin prezenca e tij në Shqipëri.