Një grup kriminal i trafikut të drogës, i përbërë kryesisht nga shqiptarë dhe sirianë është shkatërruar nga policia holandeze në bashkëpunim me atë spanjolle.
Ata kryesisht operonin në Limburg të Hollandës dhe në Spanjë.
Policia nisi një hetim duke mbajtur nën përgjim grupin kriminal dhe më pas arrestoi 14 persona të enjten e kësaj jave, në zonën e Barcelonës. Droga kultivohej në Spanjë dhe më pas do të dërgohej në Hollandë.
Policia beson se ekzistojnë dy grupe kriminale, njëri që përbëhet kryesisht nga shqiptarë dhe grupi tjetër nga sirianë, raporton gazeta holandeze “1limburg”.
Përveç personave të arrestuar, ka edhe të dyshuar të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim. Këta të dyshuar janë shqiptarë, irakianë, holandezë dhe sirianë.
Hetimi zbuloi se grupi kriminal ka përfituar miliona euro nga tregtia ndërkombëtare e drogës. Ata kishin marrë me qira lokale me emra të rremë. Kur lidhnin kontrata qiraje ose energjie, përdornin emra nga seriali televiziv The Soprano’s.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar edhe disa makina luksoze që përdoreshin nga anëtarët e këtij grupi kriminal.