Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha sot se ka nisur solidariteti ndërkombëtar me Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit.
Balla tha se tashmë ka nisur solidariteti me Shqipërinë, pasi qeveria e Rumanisë nisi 52 efektivë specialë për situata emergjencash civile si dhe furnizime për përballimin e situatës.
“Solidariteti me Shqipërinë vijon. Qeveria e Rumanisë nis pas pak minutash një avion me 52 efektivë specialë për situata emergjencash civile dhe furnizime për përballimin e kësaj situate shumë të vështirë”, shprehet Balla, ndërsa bën thirrje për kurajo, durim dhe solidaritet.
Efektivët xhenio, efektivë të Forcave Speciale dhe të kërkim-shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënojave në Thumanë e Durrës.
Tërmeti me magnitudë 6.3 ballë të shkallës Rihter ra në orën 03.55 të mëngjesit të së martës.
Sipas të dhënave nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, raportohet se epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.


