Forcimi i masave të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit, i ka kushtuar vendin e punës dhe ndjekjen penale tetë punonjësve të Burgjeve, ndërkohë pesë prej tyre kanë përfunduar në prangat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
Dyshohet se efektivët kanë shpërdoruar detyrën duke neglizhuar futjen e një celulari gjatë transportimit të shtetasit Dritan Velaj 30-vjeç nga burgu i Peqinit drejt burgut 313 në Tiranë.
Gjatë ushtrimit të kontrollit permes pajisjes skanike, u konstatua se Veliaj po tentonte të fuste aparatin celular në burgun 313 në Tiranë.
Fill pas raportimit të kësaj ngjarje, drejtori i përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili ka marrë vendimin për pezullimin e menjëhershëm të punonjësve përgjegjës duke nxitur hetimet e mëtejshme dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Mësohet se pezullim nga detyra deri në hetimin e plotë të ngjarjes dhe marrjen e një vendimi përfundimtar, është dhënë për këta punonjës:
“Inspektor A.O, përgjegjës i grupit të shoqërimit në FO. (arrestuar)
Inspektor L.C punonjës i rolit bazë në FO (arrestuar)
Inspektor B.K punonjës i rolit bazë në FO (arrestuar)
Inspektor A.GJ punonjës i rolit bazë në FO
D.Q punonjës i grupit të shoqërimit dhe sigurisë IEVP Peqin (arrestuar)
K.H, punonjës kontrollor tek skaneri IEVP Pegin (arrestuar)
S.G Ndihmës specialist informacioni, prezent gjaté kontrollit
S.G Specialist i Informacionit prezent”
Kujtojmë që më herët nga ana e Hetimit në SHKBB janë bërë edhe arrestime të tjera, në saj të rritjes së kontrollit në sistemin penitenciar.
Disa javë më parë nga ky sektor u godit fenomeni i mbajtjes së telefonave në qeli edhe në IEVP Rogozhinë ku u arrestuan disa efektivë.
Ndërkohë, ashtu si në burgjet Fushë-Krujë dhe Peqin, edhe për IEVP-të e tjera është parashikuar aplikimi i sistemit të bllokimit të valëve telefonike ku komunikimi përmes aparatëve celularë është i pamundur.
Masat e shtuara vijnë në të njëjtën kohë kur burgjet po ashpërsojnë qëndrimin dhe janë përfshirë edhe në implementinin e regjimit të ashpër “41 bis”.
Po kush është Dritan Velaj që tentoi të fuse aparat celular në qeli?
Në korrik të këtij viti, Dritan Velaj 30 vjeç qëlloi me sëpatë babain e tij 67 vjeçar.
Dritan Velaj, njihet si person që ka ushtruar edhe më parë dhunë mbi familjarët e tij dhe që ka bërë edhe një vit burg.
Pasi goditi me sëpatë babain e tij duke e lënë të plagosur në gjendje të rëndë, 30-vjeçari u arratis por u kap pak pas ngjarjes nga një patrullë e policisë që u vu në ndjekje të tij.