E moshuara e cila u dhunua brutalisht nga një infermiere e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë dhe u filmua rezulton se është nëna e një prej dëshmorëve të UÇK-së, Taulant Nura.
Njoftimi është bërë nga ish-ushtari i UÇK-së Adnan Hyseni dhe reperi i famshëm kosovar Gold AG të cilët e kanë konfirmuar faktin përmes rrjeteve sociale, ku gjithashtu shprehen tejet të indinjuar me ngjarjen e rëndë.
“Taulant Nuraj a na e bën hallall që ta kemi shkelë gjakun e nanën po ta rrahim veç që ka mbet pa ty”, ka shkruar në Instagram reperi, që njihet gjerësisht për vlerësimin e tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në videon e shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale shihet punonjësja e azilit Aurona Pelaj duke goditur me shuplaka dhe shkelma të moshuarën e cila pavarësisht tentativave nuk është e aftë të mrbojë veten.
Sakaq, autoritetet kosovare kanë reaguar duke arrestuar menjëherë dhunuesen dhe përgjegjësen e azilit në Pejë.


