Një pjesëtar i ekipit ligjor të Donald Trump, është në kontradiktë me të në lidhje me pagesën e 130 mijë dollarëve për aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels. Ish-kryebashkiaku i qytetit të New York, Rudy Giuliani, tha se Trump e kishte rimbursuar avokatin e tij, Michael Cohen, që e kishte paguar aktoren gjatë fushatës elektorale të 2016.
Presidenti amerikan ka thënë se nuk dinte asgjë për pagesën, por kohët e fundit ka pranuar se ishte arritur një marrëveshje. Daniels thotë se pagesa kishte si qëllim të pengonte atë të fliste për një aferë të supozuar. “Ata e paguan përmes një firme ligjore dhe presidenti e ka rimbursuar shumën”, tha Giuliani, që kohet e fundit i është bashkuar ekipit ligjor të Trump.
Ai tha se rimbursimi është bërë në një periudhë prej disa muajsh. Giuliani shtoi se transaksioni ishte i ligjshëm dhe nuk kishte lidhje me një kontribut fushate pasi nuk bëhet fjalë për para të fushatës. Avokati i aktores, Michael Avenatti, tha se amerikanët duhet të ndjeheshin të fyer nga komentet e Giulianit.
“Ne parashikuam muaj më parë se do të provonim se populli amerikan ishte gënjyer për pagesën e 130 mijë dollarëve dhe për atë që Trump dinte”, shkroi ai në twitter. Pas mohimit fillimisht të pagesës, avokati i Trump, Cohen, e pranoi se ia kishte dhënë privatisht shumën aktores Daniels, emri i vërtetë i të cilës është Stephanie Clifford, në tetor 2016, nga paratë e tij, në këmbim të heshtjes së saj. Ai kishte mohuar që Trump ishte pjesë e transaksionit.
Në një deklaratë për the New York Times, Cohen ka thënë se as fushata e Trump dhe as organizata Trump nuk dinin asgjë për pagesën dhe tha se ai nuk ishte rimbursuar. Pagesa lidhet me aludimet e aktore se ajo kishte pasur marrëdhënie seksuale me Trump në 2016, aludime këto që vetë presidenti i hedh poshtë.
Në mars të këtij viti, Daniels paraqiti një padi kundër presidentit duke aluduar se marrëveshja për mos ekspozim nuk ishte e vlefshme pasi Trump nuk e kishte nënshkruar atë. Më vonë, ajo humbi një mocion në gjykatë që Trump të jepte dëshmi nën betim në lidhje me pretendimin e saj se kishin pasur një marrëdhënie. Ndërsa Trump mohon akuzat e saj, avokatët e tij kërkojnë 20 milionë dollarë zhdëmtim nga Daniels duke argumentuar se ajo shkeli një marrëveshje për mos ekspozim.
Top Channel


