Vjollca Arapi, prej shtatë muajsh vuan dhimbjen e ikjes nga kjo jetë në mënyrë ç’njerëzore të bashkëshortit të saj. Por dhimbja më e madhe që ajo mban në zemër, është lirimi i personave që i vranë burrin në shtëpi. Agim Arapi, gjeti vdekjen pas një sherri agresiv të ndodhur me shtetasin Jurgen Kurti, vëllezërit Kostandin dhe Kujtim Konomi, në Durrës. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Vjollca Arapi akuzon gjykatën dhe prokurorinë e Durrësit se kanë marrë shuma të mëdha parash për të nxjerrë të pafajshëm personat që vranë bashkëshortin. Po sipas saj, gjyqtarët dhe prokurorët kanë mbështetje nga pushtetarë të fuqishëm, që liruan Jurgen Kurtin dhe Kostandin Konomin nga burgu. Më poshtë, Vjollca tregon ngjarjen e ndodhur disa muaj më parë në Durrës dhe mospërfillja nga institucionet e drejtësisë. Ajo tregon se si janë manipuluar provat dhe dëshmitari okular që nuk mban mend asgjë.
Zonja Vjollca, mund të na tregoni se çfarë ka ndodhur me ju dhe bashkëshortin tuaj?
Më 11 prill të vitit 2017, i kërkoj Jurgen Kurtit qiranë e një tubi aspirimi që kalonte nëpërmjet pronës time. Ne kishim bërë një kontratë që të më jepte 13 mijë lekë të reja. Dy javë para kësaj date, Jurgen Kurti bëri fjalë me burrin tim se mbeturinat që kishin tek lokali, vinin të gjitha tek salloni jonë. Në këtë moment, burri im i thotë që unë nuk e kam shtëpinë magazinë dhe hiqi këto që keni vënë këtu. Ata kishin një volum pune shumë të madh. Por, për t’i bërë nder dhe për të mos prishur qejfe se ishim dhe komshinj, të kalonim mirë, Jurgeni u soll shumë keq me burrin tim, dy javë para se të ndodhte vrasja e Agimit. Si përfundim, vjen data e qirasë. E kishte për ta dhënë më datë 8 dhe nuk ma dha. Më pas, Jurgeni parkon makinën tek shtëpia ime, përpara dyqanit tim ku punonim të dy burrë dhe grua se s’kishim njeri tjetër. Këtu i them Jurgenit: O Jurgen, ka kaluar data e qerasë, kur do të ma japësh. Kurse ky ma ktheu: E di ç’ke ti, mos më çaj kokën. Kishte inat me burrin tim që para dy javësh. “Mos më çaj kokën shumë, se e di ç’të bëj, të kap e të vras”, më tha. U tmerrova kur tha kështu, se ishte bërë dhe i bardhë, borë. Dhe ia ktheva: Qyqa i thash, po t’i s’qenke burrë, qenke “stronzo”. Unë të besova se deri dje mu ule në gjunjë e më thoshe s’ke punë me Koçon (vjehrri i tij) se ta jap unë qeranë. Kaloi 20 minuta dhe vetëm kur më merr vjehrri i Jurgenit në telefon. Po t’i ça ke pas me Jurgenin më thotë, prit aty se do të vras. Të gjitha këto janë të pastra, se janë zbardhur edhe nga tabulatet e telefonit. Dhe burri im i shkretë më thoshte: Vjollca, ky ka vrarë babën e vet, kushedi se çfarë tipi do të jetë. Jo i thosha unë, po ta kishte vrarë do të ishte në burg. I besova vetes unë dhe tani vet e hëngra.
Çfarë ndodhi më pas?
Pastaj, nuk kaloi as gjysmë orë, kur vjen Kostandin Ekonomi dhe mbyll qepenin e dyqanit. Aty kam qenë vetëm unë me atë. Burri im, Agim Arapi është ngjitur lart në shtëpi për të ngrënë bukë. Por, më përpara foli burri im me Jurgenin dhe i tha: Po ty s’të vjen turp që i flet kështu, ajo është nëna jote. U nevrikos ai. Ngjitet Agimi lart në shtëpi që të hante dhe do zbriste prapë se do shikonte sportin, luante Interi atë natë. Unë shtëpinë e kam të gjithë me kamera dhe çfarë bëhet aty duket mjaft qartë. Unë jetoj në katin e dytë të ndërtesës, ndërsa dyqanin e kam në katin e parë. Ndërkohë, kur mbylli qepenin e dyqanit Kostandini, Agimi zbriti poshtë, ku si duket e ka parë nga kamerat se çfarë po ndodhte ose ka zbritur rastësisht se ndoshta s’ka pasur bukë sipër. Kur shikon që Kostandini ishte mbyllur me mua dhe më kishte kapur nga krahët duke më thënë: Ç’punë ke ti me Jurgenin. Ky ishte sherri. Burri im hap qepenin dhe futet brenda. Më shikon mua me atë dhe i thotë Kostandinit: O Koçi, ç’punë ke ti me të. Kapen me njëri-tjetrin pastaj fyt më fyt. I them Koçit: O Koç mos ngit atë se, Gimi është me koronare, është gjynah. Kur vjen Jurgeni, vjen dhe vëllai i Kostandinit, Kujtimi dhe u krijua një situatë e rëndë. Ndërsa unë u lemerisa, sepse isha aty, shikoja si i gjuanin burrit tim. Dola kërkoja ndihmë, por asnjë nuk erdhi. Nuk e kuptoj sesi por, erdhi policia më pas dhe i arrestuan këta të tre. Ndërkohë, unë burrin e gjej në tokë, pa ndjenja. I shikoj pulset dhe ishte gjallë, por i masakruar në mënyrën më ç’njerëzore. Agimi doli i masakruar nga ajo derë. Akuza e ngritur ndaj Jurgen Kurtit, Kostandin dhe Kujtim Ekonomi ishte “vrasje me dashje”. Në gjyqin e dytë dhe të tretë mua nuk më ka njoftuar askush që Kostandin Ekonomi doli i pafajshëm. O është çmendur gjykata, ose është çmendur ligji.
Jeni vënë në dijeni të vendimeve të gjykatës?
Mua prokurori i çështjes nuk më ka dhënë asnjë vendim të pushimit të çështjes. Me çfarë provash e nxori ai këtë, ku provat tregojnë qartë edhe pastër se çfarë ka ndodhur atë natë. Këtu ka manipulime në çdo anë. Edhe dëshmitari okular që ka parë gjithë ngjarjen atë natë, ka thënë budallallëqe. Ai thotë që nuk mbaj mend çfarë ndodhi. Por dëshmitari i di të gjitha, po është i paguar të mos tregojë asgjë. Në këtë çështje janë të paguar me gjyqtarë, me avokatë, me prokurorë. Është dhënë një shumë e madhe leku dhe për këtë jam shumë e sigurt dhe nuk kam frikë nga asnjë njeri. Kam frikë vetëm para Zotit! Ky është një gjyq i koklavitur dhe po të shihet dosja, është komplet e koklavitur. Ajo që unë kam është dosja e Kujtim Ekonomit, ndërsa dosjen e Jurgenit dhe Kostandinit unë se kam parë fare. Janë thënë gënjeshtra, sikur viktima, në këtë rast burri im është gjetur tek ambientet e restorantit “…”. Kjo është gënjeshtër, se Agimi është gjetur pa ndjenja në shtëpi, është gjetur në dyqanin tim dhe është vrarë aty.
Keni kontaktuar pas lirimit nga burgu me Jurgenin dhe Kostandinin?
Jo-Jo, absolutisht. Unë kam frikë t’i shoh ata, rri në tension gjithë kohën. Shtëpitë tona janë ngjitur me njëra-tjetrën. Restoranti i tyre është në katin e parë, unë e kam shtëpinë në katin e dytë. I shikoj gjithmonë në rrugë dhe kur vjen në gjyq me duar në gjepa. Krimineli që më vrau burrin, ku është parë kjo? Ku është drejtësia këtu? Këta mbrohen nga pushtetarët, nuk mbrohen as nga prokurorët, se edhe këta s’kanë ç’të bëjnë më.
Me prokurorin e çështjes, jeni takuar?
Kam kërkuar takim me të, por nuk më ka pranuar. Në Durrës është paraja e madhe prej atyre, sepse ata janë milionerë. Unë e shkreta nuk kam njeri, kisha vetëm drejtësinë, por edhe kjo u çmend. I ka nxjerrë të gjithë të pafajshëm këta. Nuk ka njeri pse të më besojë mua, janë kamerat e sigurisë që tregojnë gjithçka. Ky prokuror nuk pranon t’i hapë në gjyq pamjet e këtyre kamerave. Kam dy herë që kam shkuar aty dhe e kërkoj këtë, por asnjëherë nuk janë hapur. Ku është motivi këtu? Janë kamerat ato që tregojnë se çfarë ka ndodhur aty brenda atë natë.
Çfarë tregojnë kamerat?
Kamerat tregojnë gjithë vrasjen. Çdo pamje është e pastër. Duket kur ata shtyjnë njëri-tjetrin e thonë: Ik ti se do t’i gjuaj unë. Janë pamjet që e tregojnë të qartë vrasjen, por ama drejtësia jonë në Durrës është çmendur. Kushedi sa lek janë paguar që të dalë një kriminel i pafajshëm. Krahët e mia kanë qenë të nxirë, pasi Kostandini erdhi për të më vrarë mua. Ata i gjuanin Gimit, ndërsa unë i lutesha “aman mos më vrisni burrin”. E kam parë burrin në mënyrën më të masakruar. Një brinjë i kishte dalë sipër. Ai është goditur në vesh dhe në ekspertizën e parë thonë që vdekja ka ardhur për shkak të goditjeve me mjete të forta mprehëse. Ndërsa në të dytën thuhet se vdekja ka qenë e menjëhershme, për shkaqe të papërcaktuara. Të dyja këto ekspertiza i përkasin të njëjtës datë, por ama kanë përmbajtje të ndryshme dhe numra të ndryshëm. Që këtu kanë filluar gënjeshtrat. Filluan që ditën e parë duke bërë ndërhyrje tek mjeku ligjor. Pas tre muajsh kanë nxjerrë nga burgu Kostandin Ekonomi të pafajshëm. Po ky prokuror pse nuk ma dha vendimin e pafajësisë së tij.
Për Jurgen Kurtin çfarë thuhet në këtë çështje?
I pafajshëm! Se ka marrë fare që ditën e parë prokurori atë, që ai është molla e sherrit. Ai e bëri, ai e thërriti. Madje po të shikohen kamerat, Jurgeni nxjerr diçka nga xhepi dhe i gjuan burrit tim, ndërsa Kostandini dhe Kujtimi e marrin nga brenda e nxjerrit me forcë jashtë Jurgenin. Këto i tregojnë kamerat, edhe momentin kur dëshmitari okular e kap nga krahët Jurgenin. I thotë: Ik ti! Ndërsa tani, dëshmitari thotë që nuk mbaj mend. Është çmendur gjykata, ligji, prokuroria. Kush është ai pushtetar që i mbron, këtë dua ta di. Edhe prokurori nuk është aq i fortë sa t’i mbrojë këta. Është një pushtetar mbrapa gjithë kësaj. Ose do të jetë mafia e Durrësit. Një gjë është, por unë nuk e di saktë. Për një fjalë goje mua më vranë burrin. Për një kapriço të Jurgen Kurtit!
Pas ngjarjes, ka ardhur ndonjë të flasë me ju?
Ku vjen Jurgen Kurti të flasë. Kur kam dalë në televizion pas ngjarjes, Jurgeni më ka sjellë një pusullë e më tha: Këtë do ta shikojë drejtësia! Ku ishte drejtësia e Jurgen Kurtit? Ishte tek lekët që ai dha, ashtu siç bëri për babën e vet, e bëri edhe për mua. Më 11 prill të një viti më parë ai ka vrarë babanë e vet, më 11 prill ai vrau burrin tim. Unë kërkoj vetëm drejtësi, asgjë tjetër. Ata thonë që ka shkuar me kallëp dinamiti. Çfarë dinamiti që i plaçin sytë, Gimi ishte i urtë, nuk vriste një mizë.
Ngjarja/Në prill të 2016-ës, Jurgen Kurti u akuzua për vrasjen e të atit
Jurgen Kurti nuk është një personazh i panjohur për median. Vitin e kaluar, Jurgeni u akuzua për vrasjen e të atit, në apartamentin ku banonte me nënën e tij. Por, nga shqyrtimi gjyqësor, i riu u shpall i pafajshëm, pasi ka rezultuar se vrasjen me thikë të Artur Kurtit e ka kryer daja i Jurgenit, Leonard Ristani. Ky i fundit, ka marrë përsipër fajin, duke thënë se Jurgeni nuk ka kryer asnjë veprim, ndërsa babanë e tij e ka vrarë në kushtet e vetëmbrojtjes vetë Leonardi. Ndërkohë, në fazën e marrjes së dëshmive lidhur me këtë ngjarje, Jurgen Kurti ka treguar se si mbeti i vdekur babai i tij, Artur Kurti. Ai ka treguar se, më datë 04. 04. 2016, rreth orës 18:00, Shpresa Kurti (nëna e Jurgenit), pas pune e ka marrë atë në telefon dhe, së bashku janë takuar në banesën e tyre. Viktima pasi kishte qëndruar dy orë me të dashurën e tij (marrëdhënie jashtëmartesore prej 6 vite), rreth orës 18:15 minuta ka shkuar në banesën ku jetonte bashkëshortja e tij e veçuar dhe i biri, duke i rënë derës së banesës. Nga syri magjik, Shpresa ka parë viktimën që thoshte: Hape derën, dua të them tre fjalë. Pasi dera nuk i është hapur, viktima ka filluar t’i binte derës me shqelma, shante. Viktima ka zbritur poshtë pallatit dhe ka marrë në telefon bashkëshorten e tij, e cila i ka thënë që nuk është në banesë. Pas kësaj, ai i bërtiste duke e sharë dhe ofenduar. Në këtë moment, Shpresa Kurti ka marrë në telefon vjehrrën e saj, duke i thënë që të merrte Arturin në shtëpinë e saj, pasi kishte frikë se ai mund të shante edhe djalin kur të dilte jashtë me atë fjalor në rrugë. Për këtë ngjarje kanë marrë dijeni edhe shërbimet policore, por nga ngatërrimi i adresës së rrugës nuk është mundësuar mbërritja e tyre. Viktima Artur Kurti, rreth orës 21:10, nga banesa e tij ku jetonte me të ëmën, i ka telefonuar Shpresës dhe telefonin e ka ngritur i vëllai i saj, Leonardi. Edhe këtë, Arturi e ka sharë dhe ofenduar, e pas kësaj telefonate, pas disa minutash ka rënë zilja e derës së banesës ku jetonte Shpresa dhe Jurgen Kurti dhe për të hapur derën ka shkuar gruaja e shtëpisë. Ajo ka hapur derën, ndërsa Arturi ka filluar ta shtyjë atë pasi, nuk e lejonte të hynte në banesë. Në këtë moment, Arturi ka nxjerrë një thikë të madhe me bisht të kuq dhe menjëherë Shpresa është tërhequr për në brendësi të banesës pasi ndodheshin tek dera e jashtme. Viktima me këtë thikë po godiste vëllanë e saj, Leonardin, i cili është rrëzuar në dysheme dhe me këmbët lart përpiqej të mbrohej për të mos lejuar Arturin t’i afrohej me thikë dhe ta godiste përsëri. Në dyluftim e sipër, i pandehuri i shtrirë me kurriz në dysheme dhe viktima sipër tij me thikë duke e goditur, i ka kapur dorën për t’i marrë thikën. Pasi i merr thikën duke ia tërhequr me forcë, Leonardi e ka goditur në pjesën e kraharorit. Në këtë moment, Jurgen Kurti i frikësuar nga kjo ngjarje ka dalë nga banesa duke i lënë vetëm babanë dhe dajën e tij. Leonard Ristani ka zbritur poshtë pallatit dhe aty ka parë nipin e tij dhe të dy së bashku janë nisur për te spitali i Traumës për të marrë ndihmën mjekësore. Gjatë rrugës, i pandehuri së bashku me nipin e tij, pasi kanë parë një patrullë policie, kanë ndaluar dhe i kanë treguar atyre për ngjarjen.
Dëshmitë
Ata tregojnë që i kam gjuajtur unë me kavanoz, apo burri im i ka shkuar me kallëp dinamiti. Këto janë budallallëqe, sepse nuk ekzistojnë. Të gjitha këto gënjeshtra janë të shkruara në dosjen e Kujtim Ekonomit. Aty kam parë të gjitha dëshmitë që janë dhënë në këto procese gjyqësore, se unë nuk kam qenë.
Kërkesa
Këtu është çmendur prokuroria e gjykata, pasi s’ka mundësi që të dalë për dëshmitar personi që e vrau. Unë kërkoj drejtësi në këtë çështje dhe asgjë tjetër. Burrin mua nuk ma kthen më njeri në jetë, por ata vranë një të pafajshëm dhe për këtë duhet të dënohen. Vranë babanë e mrekullueshëm, që ka rritur tre fëmijë me nder.
Prokurori
Në Durrës, prokurori Bledar Bejko është bërë prokurori VIP i çështjes Ekonomi. Në Durrës thonë që është prokurori i VIP-ave. I gjithë Durrësi mban dhimbjen time, por ama i gjithë Durrësi thotë që familja Ekonomi ka paguar paranë e madhe për të mbyllur çështjen. Kudo të pyesësh në qytet për Kostandinin, do të thonë që ai ka hedhur paren e madhe.
Keni kërkuar vendimet e gjykatës?
I kam kërkuar, por nuk ka kthyer përgjigje. Ka më shumë se tre muaj. Tani ata i kanë vënë akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Vrasje nga pakujdesia është të masakrosh një person? Futen tre persona brenda dhe godasin një njeri, ai është një prokurori mediokër. Tani nuk po merret parasysh asnjë. Prokurori ka dërguar tani afër një gjykatë një dosje, dhe gjykata atë po shqyrton. Por edhe gjykatësi nuk më hap kamerat e sigurisë. Po hapi ato, ai s’ka nevojë për dëshmitarë, as për mua që kam qenë prezentë në ngjarje.