Shfaqet edhe emri i Damian Green, numri dy i qeverisë së Theresa May, i lidhur me sitin e njohur të Ashley Madison, në dosjen për ngacmuesit seksualë ose përgjegjësit për “sjellje të pahijshme” në Westminster.
Këtë gjë e ka bërë të ditur Mail online duke publikuar një foto të listës ku sipas të dhënave të dala në mediat sociale, ndodhen edhe ministra të tjerë të nivelit të lartë, si burra ashtu dhe gra.
Mail, përveç Green, aludon edhe për katër emra të tjerë të konservatorëve në listën e zezë të zyrtarëve të përfshirë në skandalin e ngacmimeve seksuale. Bëhet fjalë për emra të njohur si Mark Garnier, nënsekretari i Tregtisë Ndërkombëtare dhe deputeti Stephen Crabb, të dy të akuzuar për ngacmime seksuale ditët e fundit dhe dy anëtarë të tjerë të Dhomës së Përbashkët, Justin Tomlinson dhe Steve Double.
Ndërsa Telegraph online të së njëjtës “listë të zezë” publikon edhe 5 emra të tjerë, mes të cilëve Ministren e Brendshme, Amber Rudd, e cila nuk akuzohet për ngacmim seksual, por një marrëdhënie fillimisht të paligjshme me një koleg dhe atë të ish-presidentit të partisë konservatore, Grant Shapps, për një lidhje jashtëmartesore.
BBC nga ana tjetër nxjerr detaje për akuzat ndaj Green. Bëhet fjalë për një aktiviste e të drejtave të femrave 30 vjet më të re që e akuzon ministrin e parë të Mayt për ngacmim dhe mesazhe sugjestive.
Kate Maltby shkroi në Times se ai e preku ‘rrufeshëm’ gjurin e saj në një pub më 2015 dhe në vitin 2016 i dërgoi një mesazh me tekst “sugjestiv”.
Ajo tha se Green i ofroi këshilla për karrierën “dhe në të njëjtën frymë i bëri të qartë se ai ishte i interesuar seksualisht”.
Vetë Green i ka komentuar pretendimet si “absolutisht dhe krejtësisht të pavërteta”.
Maltby, një shkrimtare dhe akademike rreth 30 vjet më e re se Green, tha se ai i dërgoi një mesazh, pasi ajo kishte pozuar me korse për Times.
Sipas artikullit të saj në gazetë, lexohet: “U bë kohë që s’të kam parë. Pasi ju admirova me një korse në gazetën time të preferuar, u ndjeva i detyruar të pyes nëse je e lirë për të pirë diçka në çdo kohë?”.