Një delegacion i Kongresit amerikan dhe Këshillit të Atlantikut po qëndron për një vizitë në Tiranë.
Takimin e parë delegacioni amerikan e ka zhvilluar në Presidencë me kreun e shtetit Ilir Meta.
Aktualisht delegacioni po zhvillon takim me kryeministrin Edi Rama, në 11:15 do të takohen me Ruçin dhe në orën 15:00 me shefin e opozitës Lulzim Basha.
Nuk dihet tema e bisedimeve në këtë takim, por vizita vjen në një situatë të tensionuar politike në vend.
Delegacioni amerikan shoqërohet nga e ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane në Shqipëri, Leyla Moses-Ones
Njoftimi i Presidencës
Presidenti Ilir Meta priti sot një delegacion me përfaqësues të stafeve drejtues të Senatit e Kongresit Amerikan, si dhe të Këshillit të Atlantikut me qendër në Uashington DC, të kryesuar nga z.Damon Wilson.
Presidenti Meta njohu delegacionin mbi zhvillimet dhe sfidat në rajon, prioritetet e Shqipërisë në kontekstin e integrimit europian, si edhe me domosdoshmërinë e bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA.
Zhvillimet e brendshme politike, zgjidhja sa më e shpejtë e krizës aktuale dhe nevoja për reflektim të menjëhershëm, zbatimi e implementimi i reformës në drejtësi mbështetur në shinat kushtetuese, hedhja e hapave të nevojshme drejt integrimit në BE dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon si faktor kyç për stabilitetin, ishin temat kryesore të diskutimit.


